Telegrafi

Kuvendi i Kosovës nuk mbetet pa artistë – cilët këngëtarë e aktorë i siguruan ulëset dhe kush nuk i mori votat e mjaftueshme?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të mërkurën shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 6 tetor.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se shpallja e këtyre rezultateve vjen pas përfundimit të gjitha procedurave në vendvotimeve dhe QNR.

Ajo ka thënë se pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet e 6 tetorit ishte 44,72%.

Valdete Daka (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Ashtu si në çdo legjislaturë tjetër, edhe kësaj radhe kuvendit nuk do t’i mungojnë artistët.

Teksa shumica e deputetëve vijnë nga profile të ndryshme si: politika, inxhinieria apo mjekësia, disa prej tyre vazhdojnë ta mbajnë epitetin e artistit, ndonëse i janë futur rrugës së politikës.

Ky legjislacion do të ketë plot tre artistë deputetë, të cilët vijnë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ata do të jenë këngëtarja dhe arkitektja e njohur Eliza Hoxha, e cila ka marrë 9303 vota, ish-reperi Memli Krasniqi që numëron plot 11034 vota, dhe ish-moderatorja dhe aktorja Blerta Deliu-Kodra, e cila u votua nga gjithsej 8099 qytetarë.

Eliza Hoxha, Memli Krasniqi e Blerta Deliu-Kodra – 3 artistët që do të jenë pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës

Përndryshe, Kuvendit do t’i mungojnë këngëtari Labinot Tahiri dhe aktori Adem Mikullovci, të cilët ishin deputetë të legjislacionit të kaluar. I pari nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme si kandidatët nga radhët e AAK-së, teksa i dyti as nuk konkurroi në zgjedhjet e fundit.

Artistët Adem Mikullovci dhe Labinot Tahiri nuk do t’i përkasin Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e shtatë

Përkundër tentativave, artistët që dështuan të sigurojnë votat për të qenë pjesë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës, janë edhe aktori Jeton Zogiani i cili ka marrë vetëm 980 vota, dhe këngëtari Fahrush Azemi që ka marrë 4238 vota, si kandidat nga radhët e PDK-së.

Aktori Jeton Zogiani dhe këngëtari Fahrush Azemi nuk siguruan votat e mjaftueshme për në Kuvendin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës përndryshe do të mbetet edhe pa sportistë, pasi kandidatja Gentiana Beqa-Ahmeti e cila ishte ndër të vetmet nga kjo fushë që konkurronte për deputete, ka marrë 2465 – aq sa janë jo mjaftueshëm për të siguruar një nga ulëset e kuvendit. /Telegrafi/

Sportistja Geta Beqa mbeti jashtë legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës