Site icon Telegrafi

Kuvendi i Kosovës miraton ndarjen buxhetore edhe për muajin mars

Me 100 vota për, asnjë kundër dhe abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar kërkesën e qeverisë për ndarjen e mjeteve buxhetore edhe për muajin mars.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Bisnik Bislimi në arsyetimin e kësaj kërkese ka thënë se kjo kërkesë do të siguroj vazhdimësi të pagesës së detyrimeve.

“Ministria e Financave dhe Transfereve në pajtim me Ligjin e Financave publike ka bërë zgjatje të buxhetit deri në muajin shkurt. Nga vlerësimet tona konstatojmë se zgjatja buxhetore e deri tashme nuk ka qenë e mjaftueshme për pagesën e pagave, pensioneve apo pagesave, do të na duhen edhe një muaj shtesë. Kërkojmë që të votohet kjo kërkesë me qëllim që të ketë vazhdimësi në pagesa”, ka kërkuar Bislimi, shkruan Telegrafi.

Lexo po ashtu Qeveria miraton kërkesën për buxhet edhe për muajin mars

Ndryshe, me autorizimet ligjore, Ministria e Financave në qeverinë e kaluar pati bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e mjeteve për organizatat buxhetore për dy muajt e parë të vitit 2020.

Kurse për muajin mars, vetëm Kuvendi mund të vendosë për vazhdimin e këtij vendimi apo zgjatjen e ndarjeve buxhetore. Kjo është koha përfundimtare e lejuar për shpenzim buxheti dhe nuk ka asnjë instrument tjetër ligjor që ndarjet buxhetore të shtyhen më shumë se tre muaj, pra jo më vonë se data 31 mars 2020.

Pas kësaj date, Kosova futet në krizë buxhetore, pasi asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore. /Telegrafi/

Exit mobile version