Kuvendi i Komunës së Podujevës, në një mbledhje të jashtëzakonshme, të martën e ka shqyrtuar propozim vendimin për rialokim e buxhetit për vitin 2016.
Në mbledhjen e kryesuar nga kryesuesi i Kuvendit, Mehmet Gashi, e ku ishin të pranishëm edhe anëtarët e ekzekutivit të Komunës, këshilltarët kanë debatuar për dokumentin e prezantuar në Kuvend. Lidhur me rialokimin e buxhetit për vitin 2016.
Drejtori i drejtorisë së Financave, Isuf Latifi, tha se ky rialokim po bëhet konform Ligjit për menaxhimin e financave publike, neni 30 pika 2.
“Ligji për menaxhimin e financave publike, u mundëson organizatave buxhetore rialokim të buxhetit, bazuar në planifikimet e mëhershme. Në rastet kur për projekte të ndryshme janë paraparë shumë më e madhe e mjeteve, ndërsa kontratat janë lidhur me çmime më të ulëta, ato barten në projektet tjera, të cilat kanë kushtuar më shumë se planifikimet”, tha drejtori Latifi
Shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Fidan Rekaliu, i ka dhënë mbështetje rialokimit të buxhetit.
Ndërsa, kundër rialokimit janë deklaruar këshilltarët nga radhët e opozitës, Rafet Llapashtica- PDK, Haki Rudari, Bahri Selimi dhe Adelina Sfishta -Lëvizja Vetëvendosje, të cilët vlerësuan se rialokimi po ndodhë si pasojë e planifikimit jo të mire nga ekzekutivi komunal.
Pas diskutimeve lidhur me këtë çështje, Kuvendi me shumicë votash ka miratuar vendimin për rialokimin e buxhetit për vitin 2016. /Telegrafi/