Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e sotme, ka miratuar vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2016 në vitin 2017; vendimin për mbështetje financiare OJQ “HANDIKOS”; Planin e punës të KKSB-së për vitin 2017 dhe vendime të tjera me interes për qytetarët.
“Të hyrat vetanake të Komunës së Podujevës, të pashpenzuara në vitin 2016, në shumën 781.565,69 euro barten në vitin 2017, në programet si vijon: administratë komunale 550, 290.88 euro, shëndetësi 15,638.50 euro dhe arsim 215, 636,31 euro”, ka thënë drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi.
Ndërsa, sipas një njoftimi të Komunës së Podujevës, shefi i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, shefi i Grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Rudari dhe këshilltarët Lutfi Rexhepi (PDK), Flakron Gashi (PDK), Bahri Selimi (VV) bënë vërejtje për bartjen e mjeteve vetanake nga viti 2016 në vitin 2017, duke konsideruar se kjo shumë është e lartë.
Pas diskutimeve lidhur më këtë pikë të rendit të ditës, Kuvendi me shumicë votash miratoi vendimin për bartjen e të hyrave vetanake të Komunës së Podujevës nga viti 2016 në vitin 2017 dhe destinimin në kategori të caktuara buxhetore.
Kuvendi gjithashtu, pas diskutimeve miratoi edhe vendimin për mbështetje financiare OJQ-në HANDIKOS – Qendra e rehabilitimit të bazuar në bashkësi; Planin e punës të KKSB-së për vitin 2017; vendimin për dhënien e pronave të paluajtshme të Komunës dhe pronës publike rrugë – lokale në shfrytëzim afatgjatë Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike – KEDS dhe vendimin për ndryshimin e përbërjes së Komitetit për Komunitete. /Telegrafi/