Në Kuvendin e Kosovës të hënën (28 mars) nuk është miratuar propozimi për formimin e Komisionit Hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.
Për themelimin e këtij Komisioni votuan 23 deputetë të opozitës, kurse kundër votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Themelimi i Komisionit ishte propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, kurse ky komision do të kishte mandat gjashtëmujor dhe do të përbëhej nga 11 anëtarë.
Një hetim i tillë parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike po shihet si i nevojshëm nga njohësit e çështjeve politike.
Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus”, ka thënë se llogaridhënia nuk është e lidhur domsdoshmërisht me formimin e komisioneve hetimore, por duhet të kërkohet edhe në mënyra të ndryshme, në mënyrë që më u siguru që buxheti i shtetit ka shkuar sipas procedurave dhe është i arsyeshëm.
Sa i përket komisioneve hetimore, ai thotë se partitë në pushtet gjithmonë kanë tendenca me ik nga një kontroll prej opozitës.
“Komisioni hetimor është një prej çështjeve që partitë në pushtet gjithmonë kanë tendenca me ik nga një kontroll prej opozitës. Por nëse opozita nuk i ka votat e mjaftueshme nuk mund të kërkojë hetim parlamentar. Nëse janë 1/3 e nënshkrimeve të deputetëve atëherë komisioni hetimor themelohet me automatizëm prej partive opozitare dhe jo atyre që janë në pushtet. Kështu që nëse nuk janë votat që kërkohen me ligj atëherë edhe hetimi nuk mund të bëhet, pasi nuk është parë e arsyeshme nga deputetët”, theksoi ai.
Krasniqi ka shtuar tutje se komisioni hetimor mundet të themelohet edhe pa partitë, të cilat janë në pushtet.
“Në radhë të parë opozita duhet të ketë koordinim mes vete dhe t’i kenë votat e nevojshme. Edhe pa partitë të cilat janë në pushtet ky komision mund të themelohet nëse partitë opozitare e shohin si të nevojshme”, pohoi ai.
Krasniqi ka theksuar tutje se në të kaluarën komisionet nuk është se kanë dhënë rezultatet për të cilat është pritur.
“Në të kaluarën e kemi parë komisionet nuk është se e kanë dhënë rezultatet të cilat janë pritur, për shkak të mungesës së përvojës së anëtarëve të këtyre komisioneve, nuk ia kanë dhënë kahje këtyre komisioneve se jo çdo gjë duhet parë prej prizmes partiake”, sqaroi ai.
Sipas Krasniqit, një hetim lidhur me menaxhimin e krizës energjetike është shumë i nevojshëm.
“Është jashtëzakonisht e nevojshme të ketë një hetim, parlamentar apo të mekanizimeve tjerë mbikëqyrës së Kuvendit, për tu siguruar që ato mjete që është një shumë e madhe që janë ndarë prej buxhetit të shtetit kanë qenë të nevojshme për tu shfrytëzuar, për tu siguruar që qytetarët kanë me u funizu me energji elektrike”, ka thënë mes tjerash ai.
Krasniqi thotë se çështja e menaxhimit të energjisë elektrike ka nevojë për një sqarim nga ana e Qeverisë.
“Në anën tjetër po e shohim që KEK-u po shet rrymë. Pse duhet me shit rrymë e ne të blejmë rrymë më shtrenjtë. Kjo është një çështje që ka nevojë për sqarimin e qeverisë dhe deputetet duhet të ushtrojnë mbikëqyrjen parlamentare”, tha ai.
Ndërsa, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë për Telegrafin se në çdo rast kur hidhen dyshime për keqmenaxhim të fondeve publike, qytetarët e meritojnë sqarimet dhe informacionet.
“Në çdo rast kur në publik hidhen dyshime për keqmenaxhim apo administrim të fondeve publike, apo dyshime për keqpërdorim të buxhetit të shtetit, publiku dhe qytetari meriton sqarime dhe informacion. Kur kësaj i shtohet fakti se flasim për qindra miliona euro, atëherë kërkesa për sqarime dhe informacion sigurisht se është më e madhe”, tha ai.
Miftaraj tutje shtoi se një Qeveri me duart të pastra nuk ka nevojë të frikësohet dhe të mbyll rrugët për tu hetuar dhe sqaruar këto dyshime.
“Në këtë drejtim, një qeverisje me duar të pastra dhe e bazuar në parime të sundimit të ligjit, qeverisjes së mirë dhe transparencës nuk ka nevojë të frikësohet dhe të mbyll rrugët për t’u hetuar dhe sqaruar këto dyshime. Përkundrazi, çdo hezitim për të sqaruar këto dyshime, ngrit edhe më shumë dyshimet për keqpërdorim”, është shprehur ai.
Ndryshe, pasi ka dështuar të miratohet formimi i Komisionit Hetimor parlamentar, shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se do të vazhdojnë me mbledhjen e nënshkrimeve nga ana e deputetëve për formimin e Komisionit, pasi që sipas tij, do të dalin në pah shumë parregullsi.
“Partia Demoktratike e Kosovës (PDK) kishte një propozim interesant për themelimin e një komisioni parlamentar i cili do të hetonte të gjitha angazhimin, punën dhe vendimet e Qeverisë, ZRRE, KOSTT-it dhe të gjitha institucioneve të republikës që janë ndërmarr gjatë krizës energjetike. Ne konsiderojmë që gjatë kësaj periudhe kanë dal në dritë edhe mundësitë për keqpërdorime nga mjetet që janë ndarë nga Qeveria e Kosovës. Siç e dini Kosova ka një histori të hetimeve paralamentare, është një instrument i opozitës që përdoret për hedhjen në dritë të keqpërdorimeve”, kishte deklaruar ai.
Kurse, i pari i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi kishte thënë se LVV-ja çuditërisht refuzoi formimin e këtij komisioni.