Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar një deklaratë politike, me anë të së cilës dënojnë sulmin e brendshëm ndaj Kuvendit të Kosovës.
Në deklaratë thuhet se përfaqësuesit e popullit e dënojnë sulmin kriminal, pasi që ky është sulm kundër shtetit interesave të qytetarëve dhe vlerave politike dhe demokratike.
Kjo është deklarata:
D E K L A R A T Ë
Ne përfaqësuesit e zgjedhur të popullit e dënojmë fuqishëm sulmin kriminal, të kryer mbrëmë, mbi Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ky është një sulm kundër shtetit të Kosovës, interesave të qytetarëve tanë dhe kundër qëllimeve dhe vlerave politike e demokratike që afirmojnë subjektet tona politike.
Kërkojmë nga institucionet e sigurisë që t’i ndërmarrin masat e duhura dhe sa më parë ta zbardhin këtë sulm qyqar, ndërsa kriminelët të vihen para drejtësisë.
Kuvendi i Republikës së Kosovës po ashtu u bën thirrje të gjithë qytetarëve të vendit që të bashkëpunojnë dhe t’i ndihmojnë organet e drejtësisë në zbardhjen e këtij akti kriminal.