Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme, ku pikë e vetme e rendit të ditës është debati parlamentar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidenti.
Seanca do të nis prej orës 10:00
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kanë akuzuar presidentin Hashim Thaçi se qe nga marsi i vitit të kaluar ka bllokuar funksionimin e KQZ-së, me pasoja për të gjitha Asambletë Komunale në gjithë Kosovën.
LDK thekson se mbi 30 asambleistë të komunave presin për tu certifikuar, një deputet i Kuvendit të Kosovës gjithashtu është duke pritur për tu certifikuar nga KQZ, dhe të gjitha stafet e grupeve parlamentare dhe të punësuarit në partitë politike që financohen nga buxheti i shtetit, janë bllokuar tashmë 2 muaj për paga të rregullta.
Kurse, Lëvizja Vetëvendosje konsideron se KQZ-ja është organ i rëndësishëm kushtetues për të garantuar integritetin e zgjedhjeve, por një pakicë qeveritare e politike po përpiqet artificialisht të bëhet shumicë në KQZ.
Përbërja e KQZ-së, sipas Kushtetutës dhe Ligjit për zgjedhje, duhet të reflektoj rezultatin e zgjedhjeve. /Telegrafi/