Telegrafi

Kuvendi i Belgjikës miratoi protokollin për pranim në NATO

Siç raportojnë nga AIM, Kuvendi Federal i Belgjikës sot miratoi protokollin e pranimit të Maqedonisë së Veriut në NATO.

Informacionin e bëri të ditur ministri belg për Punë të Jashtme, Didie Rejnders, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Është kënaqësi të deklaroj se Kuvendi belg e miratoi ligjin ku pranohet protokolli i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, Belgjika është në hap ta përfundojë procesin e ratifikimit”, shkroi Rejnders.

Propozim-ligji për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në Aleancë u miratua nga qeveria e Belgjikës para dy javëve.

Procedura belge parasheh së pari ligji të marrë dritën e gjelbër nga Këshilli Shtetëror, mendimi i së cilës nuk është i obligueshëm por i rëndësishëm, më pastaj ligjin ta miratojë Kuvendi para se të ratifikohet. Kuvendet tjera rajonale nuk janë të përfshira në proces, vetëm ai federativ, që e përshpejton procedurën./Telegrafi/