Site icon Telegrafi

Kurti në kërkim të mbështetjes ndërkombëtare

Foto: Arkiv

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka ndërmarrë javët e fundit një lloj ofensive për informimin e zyrtarëve dhe institucioneve evropiane dhe amerikane rreth zhvillimeve aktuale në Kosovë, duke mos lënë anash edhe pretendimet e tij se nisma e presidentit Hashim Thaçi për formimin e qeverisë pa partinë fituese të zgjedhjeve, është jokushtetuese.

I shkarkuar me mocion mosbesimi në Kuvend dhe në kohë pandemie kur ai nuk mund të udhëtojë e të takojë liderë evropianë, Kurti ka zgjedhur formën e dërgimit të letrave me informata shpjeguese për atë që po ndodh në Kosovë, duke u nisur nga menaxhimi i situatës me pandeminë e koronavirusit deri te gjendja e krijuar politike pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së tij, më 25 mars.

Komunikim normal apo dramatizim i çështjeve të brendshme politike?

Këto letra, sipas Zyrës së kryeministrit në detyrë, janë në kuadër të komunikimit të rregullt që mbanë kryeministri me shtetet partnere.

“Që nga marrja e detyrës në fillim të shkurtit 2020, ne kemi pasur shumë letër-këmbime me liderë dhe krerë të ndryshëm institucional në Bashkimin Evropian, SHBA dhe vende tjera”, thotë zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu.

Ndër letrat e shumta, së fundmi Kurti i është drejtuar edhe Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ku kishte theksuar se presidenti Thaçi, i mbështetur nga disa parti po tentojnë realizimin e një skenari antikushtetues.

“Me arsyetimin se kushtet që duhet përmbushur për organizimin e zgjedhjeve nuk ekzistojnë, Presidenti, i mbështetur nga disa parti politike, ndërmori një seri veprimesh duke u përpjekur të improvizojnë një skenar antikushtetues. Ky është një veprim antikushtetues, i cili shkel edhe qëndrimet e Kryetares së Kuvendit, zonjës Vjosa Osmani”, ka shkruar Kurti.

Analisti politik, Blerim Burjanim thotë se Kurti aktualisht është i shkarkuar dhe se letra të tilla, sipas tij, nuk ka nevojë t’u dërgohen fare zyrtarëve e institucioneve evropiane apo amerikane.

“Nëse ka ankesa është krejt normale që i ka shkruar Gjykatës Kushtetuese, e pret vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe gjithçka duhet të rrjedh në suaza normale. Por, nuk ka nevojë për këtë dramatizim dhe përpjekje për të krijuar një ndërkombëtarizim të panevojshëm”, thotë Burjani.

Sipas tij, ka një përpjekje nga Vetëvendosje dhe Kurti që të transmetojnë një lloj paralajmërimi se nëse largohen nga pushteti, atëherë mund të ketë pasoja për stabilitetin politik në vend dhe ky mesazh po u transmetohet edhe ndërkombëtarëve.

Por, këto letër-këmbime, sipas zëdhënësit Përparim Kryeziu, janë në kuadër të një komunikimi krejt normal që kryeministri dhe qeveria mbajnë “me shtetet mike dhe partnere”.

Ai thotë se me këto letra Kurti u ka shprehur falënderime vendeve dhe institucioneve ndërkombëtare për mbështetjen e treguar për Kosovën, me theks të veçantë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, reformën në sistemin e drejtësisë dhe luftimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

“Në disa prej letrave ne kemi shprehur qëndrimet tona mbi çështje të rëndësisë nacionale, sikurse është dialogu me Serbinë”, thotë ai.

“Qëllimi i këtyre letrave, përpos mirëmbajtjes së komunikimit me ta, është mirë-informimi i partnerëve tanë mbi punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, qëndrimet zyrtare të saj sa u përket çështjeve me interes të veçantë, por edhe informimi mbi zhvillimet politike dhe institucionale në vend”.

“Për ne është tejet e rëndësishme, por edhe kërkohet ashtu që për punën e Qeverisë dhe çështjeve që ndërlidhen me fushëveprimin e saj, partnerët tanë të njoftohen drejtpërdrejtë nga ne”, thotë Kryeziu.

A janë institucionet jashtë Kosovës adresë e zgjidhjes së problemeve?

Në anën tjetër, Blerim Burjani thotë se rekomandimet dhe mbështetjet ndërkombëtare për zhvillimet në Kosovë mund të jenë të dobishme, por qasja e Kurtit dhe e partisë në pushtet, sipas tij, është e gabuar.

“Problemet e kësaj natyre duhet të zgjidhen me dialog të brendshëm politik. Pushteti u takon kosovarëve dhe se Kosova është shtet i pavarur, prandaj secila punë dhe veprimtari shtetërore duhet të bëhet në suaza apo korniza të brendshme të shtetit dhe nuk ka nevojë që ankesat të bëhen jashtë institucioneve të vendit”, thekson Burjani.

Përveç zyrtarëve e institucioneve evropiane, Kurti i ka shkruar letër edhe zëvendëspresidentit amerikan, Mike Pence, të cilën nuk e ka bërë publike, por e ka komentuar.

Kurti ka sqaruar se zëvendëspresidentit Pince i ishte drejtuar qysh në muajin prill. Ai thotë se një letër e tillë ishte e nevojshme pasi që kishte disa keqkuptime, kështu që e kishte sqaruar pozicionin e tij në raport me shumë çështje, përfshi edhe dialogun me Serbinë.

“Një pjesë e letrës i referohet situatës me pandeminë Covid-19 e gjithashtu kam shprehur qëndrimet tona mbi dialogun me Serbinë dhe nuk i jam ankuar askujt për ambasadorin Richard Grenell”, kishte deklaruar Kurti pas raportimeve se ai ishte ankuar tek zëvendëspresidenti amerikan në lidhje me rolin ambasadorit Grenell në dialogun me Serbinë.

Kurti i ishte drejtuar me një letër edhe Komisionit të Venecias (Venedikut) lidhur me dekretin e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për mandatimin e kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abdullah Hotit për kryeministër të ardhshëm të Kosovës.

Por, ky Komision i kishte kërkuar Kurtit që të pres vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të cilës më 30 prill i ishte drejtuar Lëvizja Vetëvendosje, duke synuar që përmes kësaj Gjykate ta rrëzojë si anti-kushtetues dekretin e Thaçit për formimin e qeverisë pa partinë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit.

Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese në Kosovë ka vendosur në favor të kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për të pezulluar zbatimin e dekretit të presidentit Thaçi deri më 29 maj, kohë kjo e nevojshme për të shqyrtuar lëndën e dërguar nga Vetëvendosje, lidhur me kushtetutshmërinë e vendimit të presidentit për mandatarin e ri për kryeministër.

Kurti dhe Vetëvendosje po kërkojnë një lloj mbështetje ndërkombëtare për qëndrimin e tyre se pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë aktuale e cila sipas Kushtetutës tashmë është në dorëheqje, Kosova nuk mund të ketë një qeveri të re pa zgjedhje. /rel/

Exit mobile version