Site icon Telegrafi

Kushti i ri për anëtarësimin e Kosovës në KiE, test për Kurtin

Kosovës duket se i është vendosur një kusht i ri për në avancuar në procesin e anëtarësimit të Këshillin e Evropës.

Aplikimi i vendimit të Kushtetueses për pronat e Manastirit të Deçanit po shihet si “kompromis” i domosdoshëm për të marrë mbështetje në rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Analisti politik, Imer Mushkolaj, lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, ka theksuar se ky moment paraqet një provë për Kosovën për të treguar përkushtimin e saj ndaj zbatimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë.

Ai ka theksuar se, edhe pse është një proces i ndjeshëm, institucionet dhe shteti i Kosovës janë të detyruara të vazhdojnë me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Moment i Kosovës për me i tregu se është e interesuar për me zbatu kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, tash kjo tingëllon ndoshta si parullë, por kështu është, nuk ndreqim asgjë ndryshe. Është një moment që duhet të marrim vendim për me shku tutje se qysh do  të zbatohet edhe në çka do të përfitojmë na, në kuptimin institucional është çështje që do të merret vesh shpejt”, ka deklaruar Mushkolaj.

Mushkolaj ka theksuar se kjo është një mundësi për Kosovën të tregojë angazhimin e saj në zbatimin e ligjit dhe respektimin e trashëgimisë ortodokse në vend, duke përmendur Manastirin e Deçanit.

“Por është një proces jo i lehtë, është i ndjeshëm, për shkak se ke të bësh me prona të njerëzve atje. Por mendoj se është provim i rëndësishëm për me tregu zbatimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë për këtë vendim, edhe së dyti edhe qasjen që institucionet, respektivisht shteti i Kosovës, e ka ndaj institucioneve religjioze në veçanti edhe ndaj trashëgimisë ortodokse të Kosovës çfarë është Manastiri i Deçanit në këtë rast”, ka deklaruar tutje Mushkolaj.

Lexo po ashtu Zbatimi i vendimit të Kushtetueses për tokën e Manastirit të Deçanit, “kompromisi” që duhet të bëjë Kosova për anëtarësim në Këshill të Evropës

Juristi Bardhyl Hasanpapaj thotë se është e pamundur që ndonjë qeveri e Kosovës ta marrë pronën që tashmë Kushtetuesja ia ka kaluar Manastirit të Deçanit.

“Nga aspekti ligjor shkurt, katërçipërisht është pamundshme që kjo e drejtë e fituar nga të gjitha gjykatave, është fitu me anë të vendimit të dhomës së Gjykatës Supreme, s’ka mjet juridik që këto prona me iu marrë Manastirit të Deçanit, e ka fitu këtë rast sipas ligjeve të Kosovës, e ka fitu para gjykatave, e ka fitu edhe në Gjykatën Kushtetuese, që është e Kosovës, edhe duke u bazu në vetë kushtetutën e Kosovës, duke u bazu në të gjithë rendin juridik. S’ka asnjë rrugë ligjore që do mundesh me ia marrë këtë tokë Manastirin e Deçanit”, tha ai.

Analisti Ylli Hoxha ka vlerësuar se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për transferimin e tokës Manastirit të Deçanit është i domosdoshëm që Kosova t’i hapë rrugën anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Hoxha ka thënë se edhe pse të hidhëruar për padrejtësinë në sistemin juridik vendas, është koha për t’u përqendruar në gjetjen e mënyrave për të tejkaluar këtë problem dhe për të ndjekur rrugën drejt integritetit evropian.

“Sado të hidhëruar që mund të dalim në si kosovarë mbi këtë padrejtësi që na është bërë në sistemin juridik tonin, nuk na ka bërë askush tjetër këtë. Është e pa arsyeshëm që të diskutohet më, ne vetëm duhet ta gjejmë mënyrën sesi ta kalojmë sa më shpejt këtë vendim dhe ti japim rrugë anëtarësimit që po e shoh si lajm të mirë, që burimet e brendshme të Këshillit të Evropës flasin që Kosova ka shanse reale që në maj të këtij viti ta bëjë hapin kryesor drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës që është hap kardinal për ne si shtet. Tash me hedh poshtë anëtarësimin në KiE sepse këndej jemi të hidhëruar me sistemin tonë juridik nuk mendoj që është e arsyeshme”, ka deklaruar Hoxha.

Lexo po ashtu Kushtëzimi me pronat e Manastirit të Deçanit, Tomë Gashi: Albin Kurtit ia lanë “pataten e nxehtë” në dorë

Sipas gazetarit, Lirim Mehmetaj, Gjykata Kushtetuese është marrë me ligjshmërinë e procesit gjyqësor në mes të palëve dhe pala që e ka shtruar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese është Manastiri i Deçanit.

“Manastiri i Deçanit nuk e ka pyetur Gjykatën Kushtetuese se kujt I takon toka”, tha Mehmetaj.

Por sipas tij Manastiri ka pyet për “kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dy vendimeve të 12 qershorit 2015 të kolegjit të ankesave të dhomave te posaçme të Gjykatës Supreme të republikës.”

Sipas një procesi gjyqësor ka fituar Manastiri i Deçanit tha Mehmetaj. Sipas tij në vitin 2015 “është marrë një vendim që manastiri i Deçanit e ka cilësua arbitrar për arsye se është tentuar mu rikthyer në proces të gjykimit situata pa u njoftuar manastiri dhe ndonjë palë e përfshirë aty”./TV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version