Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i kishte dërguar shkresë Gjykatës Kushtetuese më 23 prill, në të cilën kontestonte profesionalizmin dhe pavarësinë e Kushtetueses.
Në shkresë Kurti e quan Gjykatën Kushtetuese të anshme dhe joprofesionale.
Po ashtu Kurti i drejtohet GjK-së, se Kushtetuesja nuk ka respektuar afatet ligjore dhe Rregulloren e Punës së Gjykatës Kushtetuese për rastin KO61/20 (Ankesa e deputetëve të PDK-së ndaj vendimeve të ministrit Vitia për kufizimin e masave).
Më tej Kurti kishte konstatuar se Gjykata Kushtetuese me vendime të kundërligjshme ka vendosur në presion Qeverinë e Kosovës gjë që sipas tij është e papranueshme.
Ndaj kësaj ka reaguar Gjykata Kushtetuese.
GjK, e ka konsideruar si të papranueshme letrën e Kurtit duke ia bërë të qartë se nuk duhet të ndërhyjë në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese dhe se duhet t’i respektojë vendimet.
“Gjykata, këtë parashtresë, si dhe të gjitha të tjerat, e ka ndarë me palët e interesuara në këtë rast. E njëjta, do të publikohet në tërësinë e saj bashkë me Aktgjykimin KO61/20, i cili përmban edhe sqarimet e nevojshme përkitazi me këtë parashtresë. Megjithatë, Gjykata thekson fuqishëm se qasja e Qeverisë ndaj Gjykatës që reflekton kjo parashtresë, është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themelore të Kushtetutës së Republikës”, thuhet nder të tjera në përgjigjen e Kushtetueses.
“Gjykata rithekson se ajo është organ i pavarur në mbrojtje të Kushtetutës dhe është interpretuesi përfundimtar i Kushtetutës. Gjykata gjithashtu rikujton se Kushtetuta i atribuon asaj pavarësi të plotë në kryerjen e përgjegjësive të saj. Për më tepër, është detyrim kushtetues i Qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Republikës të respektojnë dhe të mos ndërhyjnë në këtë pavarësi.
Gjykata gjithashtu i rikujton Qeverisë se Kushtetuta nuk i atribuon asaj asnjë kompetencë përkitazi me vendimmarrjen e pushtetit gjyqësor. Respektimi i vlerave themelore kushtetuese, lidhur me ndarjen e pushteteve, pavarësinë e pushtetit gjyqësor, pavarësinë dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjen e sundimit të ligjit, është detyrim kushtetues i të gjitha degëve të pushtetit të Republikës së Kosovës.
Gjykata në fund thekson faktin se pavarësisht situatës së krijuar me pandeminë COVID-19, dhe e cila ka afektuar mbarë botën, sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës duhet të mbizotërojnë.
Këtë e ka theksuar edhe Këshilli i Evropës në Dokumentin Informativ SG/Inf(2020)11 të 7 prillit 2020 për Respektimin e Demokracisë, Shtetit të së Drejtës dhe të Drejtave të Njeriut në kuadrin e Krizës Sanitare të COVID-19, por edhe Opinionet e Komisionit të Venecias, përfshirë atë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në raste të Emergjencave dhe Listën e Kontrollit të Shtetit të së Drejtës. Të gjitha institucionet e Republikës janë të detyruara të veprojnë në përputhje të plotë me kompetencat përkatëse kushtetuese dhe ligjore si dhe në përputhje me Aktgjykimet e Gjykatës”, thuhet në përgjigje e Gjykatës Kushtetuese. /Telegrafi/