Pasi marrëdhëniet mes Wagnerit dhe udhëheqjes ruse u dëmtuan nga rebelimi i organizuar nga Yevgeny Prigozhin, duket se Garda Kombëtare e Rusisë, anëtarët e së cilës e përkufizojnë veten si truprojat e Putinit, mund të përfitonte nga e gjithë situata.
Siç shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung, drejtori i Gardës Kombëtare, Viktor Zolotov, mund të rezultojë të jetë fituesi më i madh i konfliktit midis Wagnerit dhe Kremlinit.
Presidenti rus, Vladimir Putin nënshkroi kohët e fundit një ligj që lejon Gardën Kombëtare të pajiset me armë të rënda si tanke.
“Zolotov diskutoi tanket dhe armët e rënda me rreze të gjatë me Putinin. Ushtarët do të marrin armë të tilla. Trupat e Gardës Kombëtare janë drejtpërdrejt përgjegjëse ndaj Putinit, dhe sipas disa burimeve, ato numërojnë rreth 340 mijë anëtarë dhe janë kryesisht përgjegjës për sigurinë e brendshme”, shkruan gazeta gjermane.
Është drejtori i kësaj garde, Viktor Zolotov, i cili përfaqëson një nga personat që kanë qenë përgjegjës për sigurinë e liderit rus.
“Zolotov ruante Boris Jelcinin kur ai ishte president dhe kryetarin e atëhershëm të Shën Petersburgut, Anatoli Sobchak. Thuhet se ai atëherë u takua me Putinin dhe u afrua me të gjatë stërvitjes së xhudos. Vite më vonë, ai ishte përgjegjës për sigurinë e Putinit”, shkruan gazeta gjermane.
Kur bëhet fjalë për arsyet e marrjes së vendimit për blerjen e armëve për Gardën Kombëtare, në analizë thuhet se do të forcohet pozita e Zolotovit.
“Në atë rast, Zolotov mund të konkurrojë me liderët rajonalë dhe kështu të ndikojë në vendime. Të gjitha vendimet e Putinit tregojnë për fragmentim shtesë të aparatit të sigurisë”, shkruan FAZ. /Telegrafi/