Site icon Telegrafi

Kush do të jenë shefat e Grupeve Parlamentare?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka bërë të ditur se kur përfundimisht do të bëhet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit.

Ndonëse është thënë se koalicioni PDK-AAK-Nisma do t’i kenë 39 deputetë, pastaj 31 apo 32 do t’i ketë Vetëvendosje dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa 29 deputetë, ende nuk dihet se kush do të udhëheq me pozitën e Shefit të Grupit Parlamentar.

Subjektet politike ende nuk kanë marrë vendim sa i përket kësaj çështje, duke thënë se po presin certifikimin e rezultateve.

Zenun Pajaziti nga PDK-ja, i cili në legjislaturën që shkoi ka qenë shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, i ka thënë Telegrafit se nuk kanë marrë vendim se a do të vazhdojë ai të mbajë këtë pozitë apo jo.

“Do t’i presim rezultatet, pastaj do të presim edhe konsolidimin e grupit. Ende nuk kemi marrë asnjë vendim për këtë punë”, ka thënë Pajaziti.

Ngjashëm shprehen edhe në Lëvizjen Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet e 11 qershorit ishte befasia më e madhe. Shkodran Hoti nga zyra për media e VV-së, ka thënë se është ende herët për këtë.

“Është herët të flasim për këtë, pasi që ende nuk kemi certifikim të rezultateve”, tha Hoti për Telegrafin.

Edhe Pal Lekaj nga AAK, i cili ka udhëhequr grupin parlamentar të këtij subjekti, ka thënë se për këtë çështje nuk do të diskutojnë deri në konstituimin e Kuvendit.

“Nuk kemi marrë vendim në parti ende. Madje as që do të bisedojmë derisa nuk konstituohet Kuvendi”, tha Lekaj.

Telegrafi ka provuar të marrë qëndrim edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, por përfaqësues të këtyre subjekteve polutike nuk kanë kthyer përgjigje. /Telegrafi/

Exit mobile version