Presidenti amerikan, Donald Trump tha se SHBA nuk do të jenë më në rolin e “policit të botës“. Por askush nuk mund ta zëvendësojë Uashingtonin, as Bashkimi Evropian, mendon Christoph Hasselbach.
Fjala “polic botëror” shkakton reagime negative, edhe pse askush nuk e vë në dyshim, se policët janë të nevojshëm. Kjo lidhet me atë, se asnjë vend tjetër nuk ka aplikuar për postin e policit të botës, e as nuk është zgjedhur ndonjëherë me shumicë. Si shtete të tjera, para saj, edhe SHBA e morën vetë në dorë rolin e një superfuqie globale dhe e luajtën atë rol sigurisht edhe në interesin e vet. Nëse pas kaq dekadash, amerikanët vërtet heqin dorë nga kjo detyrë që ia vunë vetë vetes, shtrohet pyetja, se kush do të jetë pasuesi?
OKB? – Ka pengesa
Një përgjigje që mund të vijë në mendje menjëherë, është: Nëse duhet një polic në botë, atëherë shumë mirë këtë detyrë mund ta kryejnë Kombet e Bashkuara që duhet të kujdesen për rendin. Por aq pak sa ka funksionuar kjo në të shkuarën, po aq pak do të funksionojë edhe në ardhmen. Zgjidhjet kolektive janë penguar nga mungesa e ujdisë dhe përplasja e interesave të gati 200 anëtarëve të saj. Si rregull kanë qenë shtetet e fuqishme që i kanë vënë vulën e tyre botës si në të mirë edhe në të keq.
Prandaj edhe vendi i policit të botës nuk do të mbesë bosh, megjithëse ky do të ishte një përfytyrim i dashur. Çdo lloj vakuumi mbushet, sapo krijohet. Nëse SHBA tërhiqet futen të tjerë në boshllëkun që ata lenë pas. Kjo shihet tani edhe në Siri: Rusia, Turqia, Irani do të përcaktojnë aty edhe rendin e pasluftës. Në Azi, Kina do të zgjerojë gjithnjë e më shumë influencën e saj.
Ndërsa evropianët…vërtet që ata mund të kenë psherëtirë për fudullëkun e shpeshtë, nganjëherë edhe naivitetin e rolit amerikan në politikën botërore. Por perspektiva se në një të ardhme mund të kenë të bëjnë më shumë me një Kinë, Rusi, apo Turqi si polic botëror nuk do të thotë patjetër ndonjë përmirësim.
Gjermania nuk ka kushtet e duhura
Por si qëndron puna me vetë evropianët, me unitetin e tyre, me vullnetin e tyre për të qenë fuqi në rendin botëror? Policë të botës ata nuk duan të jenë. Por “më shumë përgjegjësi” flitet – e kjo është kthyer në një slogan popullor, sidomos në Gjermani, vend të cilin amerikanët prej kohësh e quajnë qelepirxhi. E rrezja e veprimit e sloganit „më shumë përgjegjësi” nuk është për këdo e qartë.
Kush do që të luajë, sikur edhe me përafërsi rolin e SHBA-së, duhet që të pranojë shpenzime të mëdha ushtarake, para që do të mungonin diku tjetër. Duhet që të jetë i gatshëm të dërgojë kudo në botë me misione ushtarët e vet dhe të pranojë viktimat e mundshme. Duhet të durojë, që në shumë pjesë të botës të ketë imazhin e armikut. Duhet të jetë po ashtu mjaft i bindur për karakterin shembullor të rendit të vet me rrezatim global dhe të përpiqet ta fusë atë në vende të tjera. Në Gjermani në fakt asnjë nga këto kushte shoqërore e politike nuk plotësohet.
BE si polic botëror? Thjesht ëndërrime
Mbetet ideja tjetër – BE-ja si e tërë ta marrë rolin që do ta lëshojnë amerikanët. Si një aleancë shtetesh demokratike me peshë ekonomike dhe ushtarake, me një masë të madhe të “pushtetit të butë”, teorikisht, BE duket si e bërë për këtë rol. Por vetëm teorikisht. Nëse kërkohet që BE të jetë një fuqi e rendit botëror, atëherë janë vetëm vende të veçanta që hidhen për ndihmë, më shpesh Britania e Madhe dhe Franca. Britania e Madhe për pak kohë nuk është më në BE. Por Franca e Gjermania janë shumë të ndryshme, për të dhënë së bashku një çift policësh, ashtu si duhet, siç u tregua edhe në misionet ushtarake në Libi apo Siri. Pra një BE 27-anëtarësh që vendos rregull në botë është thjesht ëndërrim.
Çfarë po kristalizohet është krijimi i disa fuqive rajonale, në varësi të krizave dhe bashkëpunimit. Amerikanët nuk do të luajnë në këtë kontekst rolin kryesor, por mbeten me një rol të rëndësishëm.
Evropianët nga ana e tyre për një kohë të caktuar nuk kanë për të kapërcyer kontekstin e një fuqie rajonale pa vullnet të vërtetë për ndërhyrje ushtarake. E pikërisht për këtë e sepse ndajnë të njëjtat vlera – kjo harrohet për momentin shpesh – duhet që amerikanët dhe evropianët të kërkojnë edhe më tej një lidhje të ngushtë për çështjet e politikës botërore. SHBA është më shumë se Donald Trump. /DW/