Trajneri i Senegalit, Aliou Cisse është i zemëruar me Jurgen Klopp pas komenteve të tij për Kupën e Kombeve të Afrikës.
Liverpool do të jetë pa Mohamed Salah, Sadio Mane dhe Naby Keita në vitin e ri kur do të zhvillohet AFCON.
Klopp u pyet për mungesat e tre lojtarëve dhe iu referua turneut si ‘i vogël’ gjë që ka shkaktuar polemika.
Këto fjalë bënë që Cisse t’i reagojë Kloppit, duke i thënë gjermanit se kush mendon se është.
“Kush mendon Klopp se është?”, deklaroi ai fillimisht për Daily Express.
“Unë menaxhoj Senegalin dhe lojtarët e mi luajnë për Klopp te Liverpooli”.
“E respektoj Liverpoolin, por jo Kloppin që minon ngjarjet e futbollit afrikan. Ai është këtu ku është sot për shkak të futbollistëve afrikanë”, shtoi më tej Cisse.
Cisse më pas tha se Klopp i detyrohet suksesin e tij lojtarëve afrikanë, pasi kishte humbur ‘çdo finale’ derisa erdhën Salah, Mane dhe mbrojtësi Joel Matip.
Liverpool humbi finalen e Ligës së Evropës në vitin 2016 nga Sevilla dhe finalen e Ligës së Kampionëve 2018 nga Real Madridi, përpara se ta fitonte këtë të fundit një vit më vonë.
“Sot, ai ka guximin ta quajë AFCON një ‘turne të vogël’. AFCON ka të njëjtin numër pjesëmarrësish, 24, sa edhe Kampionati Evropian. Pra, kush mendon se është?”.
“AFCON do të ketë të njëjtët superyje që aktualisht po e ndihmojnë atë të shkëlqejë në Liverpool. AFCON është e njëjtë me cilësinë e Euros”, përfundoi selektori i Senegalit.
Klopp u përpoq të sqaronte komentet e tij dhe theksoi se ai nuk nënkuptonte mungesë respekti për kontinentin e Afrikës. /Telegrafi/