Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë (RDM) përmes një kumtese me shkrim për mediat, ka porositur se Jugohromi është objekt i rëndësishëm strategjik për rajonin e Pollogut dhe burim i ekzistencës së mijëra familjeve që nuk guxon të jetë viktimë e lojërave politike. Prandaj pyesin kush dhe pse i manipulon punonjësit në Jugohrom dhe qytetarët e Jegunovcit dhe Tetovës dhe nëse kombinati është viktimë e lojërave politike, përcjell Telegrafi Maqedoni.
‘Është për të ardhur keq nëse përgjigjja është pozitive. Në këtë rast politika është shkaktare edhe për ndotjen shumë vjeçare të Tetovës të lejuar nga Qeveria, por dhe për lënien e tanishme të të punësuarve në rrugë, si bagazh për qeverinë e ardhshme, cilado qoftë’, thuhet në kumtesën e RDM-së dhe shtohet se është e habitshme që qeveria nuk reagon në largimin e paralajmëruar të punonjësve nga kombinati.
RDM shton se zgjidhja reale dhe korrekte, do të ishte dhe vazhdon të jetë, që qeveria financiarisht të intervenojë për vendosjen e filtrave sa më të shpejtë të jetë e mundur dhe mos largimin e punonjve nga puna gjatë kësaj periudhe. /Telegrafi/