Kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov, është duke qëndruar në Azerbejxhan, në një periudhë kur Maqedonia gjendet në një krizë të thellë politike dhe atmosferë tensioni, me institucione të bllokuara, pasi që refuzoi të mandatojë Zoran Zaevin për të formuar qeveri të re, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas agjencisë META, mediat kanë paralajmëruar edhe një vizitë tjetër të Ivanovit, por në Australi.
Kushtetuta e vendit e ngarkon kryetarin e shtetit me detyrën e përfaqësimit të Maqedonisë, si edhe është komantat i përgjithshëm i forcave të armatosura.
Neni 82 i Kushtetutës parasheh që në rast të pengesave të kryerjes së funksionit të tij, kryetari i shtetit zëvendësohet nga kryetari i kuvendit.
”Në rast të vdekjes, dorëheqjes, pengesave të përhershme për ta kryer funksionin ose përfundim të mandatit me forcë të Kushtetutës, derinë zgjedhjen e kryetarit të ri të Republikës, funksioni kryetar i Republikës ushtrohet nga kryetari i Kuvendit. Shfaqjen e arsyeve të përfundimit të funksionit kryetar i Republikës e vërteton Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë përmes detyrës zyrtare. Në rast të pengesave për ta kryer funksionin, kryetari i Republikës zëvendësohet nga kryetari i Kuvendit. Kur kryetari i kuvendit e kryen funksionin e kryetarit të Republikës, ai merr pjesë në punën e Kuvendit pa të drejtë vendimi”, thuhet në Nenin 82.
Në këtë rast, Maqedonia nuk ka as kryetar kuvendi, pasi që deputetët nuk kanë mbajtur asnjë seancë, madje nuk e kanë përfunduar as atë konstituive. Tani për tani, njeriu më i rëndësishëm i vendit është kryeministri Emil Dimitriev që sipas Marrëveshjes së Përzhinos, është caktuar si kryeministër teknik për zbatimin e zgjedhjeve./Telegrafi/