Njoftimet e policisë së Kosovës po vazhdojnë të rriten për personat të cilët janë arratisur qoftë nga burgu e qoftë në situata të tjera.
Enver Sekiraqa, Faton Hajrizi, Dukagjin Nikollaj janë vetëm disa vetëm disa nga emrat që Policia e Kosovës i kërkon pasi të njëjtit kanë ikur.
Por të kërkuar me dyshimin se kanë bërë krim janë edhe persona të tjerë të cilët ende nuk janë identifikuar nga organet e rendit.
Me 10 gusht bëhen një vit, kur në një kafene në Skenderaj u vra një person, e autori i kësaj tragjedie ende nuk dihet se kush është.
Deri para pak ditësh në kërkim të Policisë ishte edhe Korab Gashi i dyshuar për grabitje të armatosur në Suharekë.
Ndërkohë që për krejt këto raste institucioneve të drejtësisë iu bëhet thirrje që të veprojnë para të njëjtit të shënojnë edhe krime të tjera.
Se ka ngecje në punën e organeve të rendit, e mendon edhe avokati Ardian Bajraktari.
Bajraktari, thotë se një hetim duhet bërë edhe në rastin e fundit, ku Faton Hajrizi, i dënuar për vrasje të një ushtari rus u arratis nga burgu i Smrekonicës.
“Vlerësoj se nuk është bërë vlerësim adekuat ose i duhur i shkallës së rrezikshmërisë që nënkupton që siç e thash ai ka qenë i vendosur në institucionin i tipit të hapur dhe një person që është arratisur disa herë nuk e kuptoj se si është vendosur aty, andaj besoj se duhet të hetohet kjo çështje,” tha Bajraktari për TV Dukagjinin.
Faton Hajrizi i cili tashmë është i kërkuar nga Policia e Kosovës ka herën e nëntë që është arratisur nga burgu. Ndërkohë si pasojë e ikjes së tij nga burgu janë suspenduar oficeri i dhomës dhe oficeri i krahut.