Saleh al Arouri luajti një rol kyç në Hamas dhe kishte punuar për të zhvilluar lidhje më të ngushta midis organizatës dhe grupit Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban.
57-vjeçari ishte një nga themeluesit e krahut ushtarak të Hamasit, Brigadave al Qassam, dhe shërbeu si nënkryetar i byrosë politike të grupit që nga viti 2017, transmet0n Telegrafi.
Al Arouri udhëhoqi gjithashtu operacionet e Hamasit në Bregun Perëndimor, ku ndihmoi në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të Hamasit duke kontrabanduar armë dhe duke krijuar qeli të fjetur.
Ai u arrestua nga ushtria izraelite në vitin 1992 dhe u dënua me 15 vjet burg për ndihmën në formimin e brigadave al Qassam.
Pasi u lirua në vitin 2007, ai u arrestua përsëri tre muaj më vonë dhe u mbajt për tre vjet deri në vitin 2010, kur u lirua dhe u internua në Siri.
Al Arouri u zgjodh si anëtar i byrosë politike të Hamasit dhe kaloi disa vite në Siri përpara se të lëvizte midis disa vendeve, përfshirë Turqinë dhe Katarin dhe përfundimisht të vendosej në Bejrut të Libanit, ku u vra.
Ai ishte caktuar si terrorist nga SHBA në vitin 2015 dhe Uashingtoni kishte ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacion që do të zbulonte vendndodhjen e tij. /Telegrafi/