Gjenerali iranian Qassem Soleimani, që në orët e para të mëngjesit të sotëm u vra në një sulm ajror të realizuar nga ushtria amerikane në Irak, konsiderohej si njeriu i dytë më i fuqishëm në Iran, menjëherë pas Ayatollah Ali Khamenei dhe cilësohej si kreator i ambicieve të mëdha të Iranit në Lindjen e Mesme.
Si komandant i njësisë së fuqishme elitare, Soleimani luante edhe rolin e ministrit të Punëve të Jashtme të Iranit, kur bëhej fjalë për luftë apo paqe, transmeton Telegrafi.
Pa dyshim se është arkitekt i luftës së presidentit sirian Bashar al-Assad, konfliktit aktual në Irak dhe shumë beteja tjera në Lindje të Mesme. Njihej për faktin se kishte pushtet të jashtëzakonshëm, si komandant disa e respektonin e të tjerët e urrenin, por sigurisht se për emrin e tij janë thurur mite.
Vdekja e tij po konsiderohet si pika më e ulët e raporteve mes Iranit dhe SHBA-ve. E nga kjo mund të vjen deri të eskalimi i situatës në Lindje të Mesme, që tashmë është nuk aspak e qetë.
Në krye të njësisë Quds, forcat elitare të Gardës Revolucionare të Iranit, erdhi në vitin 1998. E në fillim të karrierës ai nuk u ekspozua shumë në opinion, kurse autoriteti në establishmentin ushtarak të Iranit iu rrit gjatë vitit të kaluar, kur Ayatollah Ali Khamenei i dhuroi medaljen e nderit, që konsiderohet si çmimi më i lartë që i jepet dikujt në këtë vend.
Kjo ishte hera e parë që ndonjëherë i është dhënë ndonjë komandanti një medalje e tillë, që nga formimi i Republikës Islamike në vitin 1979. Ndërkaq njësia të cilën ai udhëhiqte kryen operacione të fshehta jashtë vendit.
Pikërisht për këtë administrata e presidentit amerikan Donald Trump, beson se njësia Quds është “mekanizmi kryesor i Iranit për përkrahjen e grupeve terroriste në Lindjen e Mesme”, përfshirë Hezbollahun dhe xhihadin Islamik në Palestinë, ku nuk heziton të financojë, trajnoj dhe armatos këto organizata. /Telegrafi/