Site icon Telegrafi

Kush ishte Adem Mikullovci, nga aktrimi në politikë

Të martën ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare aktori dhe politikani, Adem Mikullovci.

Lajmin e ka bërë të ditur bashkëshortja e aktorit, Lumnije Mikullovci përmes një shënimi të shkurtër në Facebook.

“Sonte pas mesnatës në ora 00:20 ndërroi jetë më i dashuri jonë Adem Mikullovci! Për informata tjera dhe ceremoninë e varrimit ju lajmërojmë”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, Adem Mikullovci u lind më 1937 në Komunën e Vushtrrisë.

Mikullovci bënë pjesë në plejadën e aktorëve të ish-Teatrit Popullor Krahinor i Kosovës (Teatri Kombëtar i Kosovës).

Pas ndërprerjes së studimeve në Akademinë për Teatër dhe Film në Beograd, në vitin 1968 kthehet në Prishtinë dhe fillon punën në teatër.

Prej atij viti e deri në korrik të vitit 1990, Adem Mikullovci bëri një karrierë me 45 role kryesore si dhe rreth 70 role të dyta në shfaqje teatrore.

Lexo po ashtu Ndërron jetë aktori dhe politikani, Adem Mikullovci

Rolet më të dalluara i realizoi në shfaqjet “Duke pritur Godonë”, “Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta” me rekord shikueshmërie (nganjëherë me nga dy shfaqje në ditë), “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja”, etj.

Gjithashtu ai ishte regjisor i disa shfaqjeve në teatër, si “Pas vdekjes” (Çajupi), “Mosha e bardhë” (D. Agolli), “Dan Shejtani”, “Engjulli i stacionit”, monodrama “Bihorasit” (dramatizim i veprës së autorit Q. Sijariq), “Ti mos u përziej”, komedia “Shtrati”, stand-up komedia “Përgjuesi”, etj.

Pos aktrimit Mikullovci iu bashkua edhe politikës.

Në vitin 1990 ai ishte në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut.

Mikullovci hyri sërish në politikë kur u bashkua me Vetëvendosjen në maj të vitit 2017. Në zgjedhjet parlamentare të atij viti, ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version