Telegrafi

Kush ia dhe Veselit numrin 5 të Canës?

Pas tërheqjes së kapitenit Lorik Cana, pritej një ndeshje lamtumire në shenjë falënderimi për kontributin që ka dhënë gjatë këtyre 13 viteve për kombëtaren, por nuk ndodhi kështu në inaugurimin e “Loro Boriçit”.

Ndoshta kjo ndodh më vonë, ndoshta jo.

Numri 5 mbeti i lirë në kombëtare dhe u krijua përshtypja se do të mbetej pa “pronar” për një kohë të gjatë, duke u bazuar tek ajo që i ka dhënë kombëtares Loriku.

Mirëpo, nguti i dikujt shfaqi anën tjetër të medaljes, që edhe vetë Cana nuk do ta ketë pritur.

Që në ndeshjen e parë pas “Euro 2016”, madje miqësore, numrin 5 e pamë në fushë, por këtë herë mbi shpatullat e Frederik Veselit, një lojtar i ri, që kërkon të ecë në hapat e legjendës kuqezi.

Vetë lojtari, që krijoi polemika të shumta me përfshirjen në 23 emrat e Shqipërisë për finalet e Europianit të Francës, thotë se “numrin 5 nuk e zgjodha, por ma bënë surprizë”!

Me siguri, kjo është “surpriza” e radhës e De Biazit, që e mori në Francë, duke dalë hapur kundër rrjedhës, ose e ka lënë “amanet” vetë ish-kapiteni, për të cilin mediat zvicerane thanë se ishte “shkes” i tij në “Euro 2016”.