Robert Ibertsberger, do të jetë pjesë e stafit të Franco Fodës te Përfaqësuesja e Kosovës, duke qenë në pozitën e ndihmësit të përzgjedhësit.
Ibertsberger ka dhënë një intervistë për laola1.at ku ka thënë se Kosova ka shumë lojtarë interesant dhe shumë potencial.
Foda me stafin e tij do të debutojnë me “Dardanët” në ndeshjet me Armeninë dhe Hungarinë, që janë miqësore dhe zhvillohen në mars.
“Franco Foda dhe unë jemi në të njëjtën agjenci, kështu jemi bashkuar. Por ka edhe një lidhje tjetër, kemi luajtur bashkë në Sturm Graz. Ne patëm biseda të mira dhe Franco ishte në gjendje të kishte një ide të mirë për mua. Jemi në një valë”, u shpreh Ibertsberger.
Ibertsberger tregoi se edhe pse ka vendosur që të marrë këtë pozitë, duke folur edhe për nivelin e ekipit.
“Së pari, është hera ime e parë jashtë vendit si trajner. Së dyti, të kujdesemi për një ekip kombëtar. Nëse e shikoni më nga afër ekipin, është jashtëzakonisht emocionues për sa i përket lojtarëve individualë – ka lojtarë shumë interesantë, shumë të mirë. Tani është koha që të kemi një ide për lojtarët dhe për të gjetur një përzierje të mirë në mënyrë që skuadra të punojë në fushë. Cilësia është padyshim aty”, deklaroi ai.
Synimi i Ibertsberger dhe Foda me Kosovën
Ibertsberger theksoi se synimi me Dardanët është kualifikimi në Kampionatin Botëror, duke besuar shumë në kualitetin e ekipit.
“Ekipi dëshiron të ndërmarrë hapin tjetër, të ngjitet në një grup në Ligën e Kombeve dhe të ketë fjalën në kualifikimin e Kupës së Botës, ndoshta të arrijë në play-off. Mundësia ka padyshim. Siç thashë, ne kemi lojtarë të mirë individualë. Ndoshta dikush tjetër do të na bashkohet, ka shumë lojtarë që mund të zgjedhin mes dy vendeve. Ndoshta ne mund t’i bëjmë ata të vijnë në anën tonë”, deklaroi ai.
Ibertsberger e njeh mentalitetin ballkanas, ku gjërat janë shpesh shumë emocionale.
“Pikërisht kështu (qesh). Nëse mund të ndezim diçka, ajo bëhet vërtet pozitive dhe emocionale. Por sigurisht që mund të shkojë edhe në anën tjetër. Potenciali është aty, tani na takon ne trajnerëve dhe lojtarëve të ndezim euforinë”, përfundoi Ibertsberger.
Kush është Robert Ibertsberger?
Robert Ibertsberger është austriak dhe ka lindur më 20 janar 1977. Si futbollist ai ka luajtur mbrojtës me klube si Austria Salzburg, Venezia, Sturm Graz dhe Tirol Innsbruck, ndërsa ka tetë ndeshje me Kombëtaren e Austrisë.
Karrierën si trajner e ka nisur me moshat e reja te Red Bull Salzburg, para se të kalonte te SV Ried.
Ibertsberger u bë ndihmës trajner i Wolfsberger AC në 2017, ndërsa më pas ai u emërua trajneri i parë i Wolfsberg më 26 mars 2018 dhe ishte menaxher deri në fund të atij sezoni.
Pasi u largua nga Wolfsberg, ai ishte ndihmës te Austria Vjena, për tu bërë pastaj trajner i parë më vonë.
Inbertsberger ka drejtuar si trajner i parë në vitet e fundit klube si St. Polten dhe SV Reid. /Telegrafi/