Intervistoi: Aroma Aliti
Të ndjekësh ëndrrat e tua nuk është asnjëherë një rrugë e gabuar. Ashtu dhe Nurie Emrullai që e vogël ka filluar të bëj atë që i fle në zemër, të shkruaj. Dhe sot ajo ka arritur që të gjitha mendimet e saj t’i ketë të përmbledhura në një libër, që përveç tjerash me këtë libër u zgjodh edhe fituese e çmimit letrar “Kadare 2023” në mesin e shumë shkrimtarëve të tjerë.
Ndërkaq, në një interviste për Telegrafi Maqedoni, Nuria tregon për përvojën e saj ne këtë drejtim, për librin dhe përzgjedhjen e saj si fituese e këtij çmimi.
Kush është Nuria për ata që se njohin?
Unë jam profesoreshë e Gjuhës dhe letërsisë shqipe, aktualisht jam në studimet e PhD-së në letërsinë krahasimtare pranë fakultetit Blazhe Koneski ‒ Shkup. Jam mësuese në një shkollë fillore këtu në Kërçovë dhe gjithashtu asistente pranë Universitetit të Tetovës.
Si ka filluar pasioni yt për letërsinë?
Nuk e di nëse do ta quaja pasion. Letërsia për mua ka qenë nevojë. Mendoj se ajo që na mban lidhur për jete është kurioziteti që na ngjallet që në fëmijëri dhe unë kam pasur një lloj urie të paimagjinueshme për të njohur dhe për të ditur sa më shumë rreth botës, rreth jetës dhe ky kuriozitet m’u shtua edhe më shumë që kur fillova të mësoj shkronjat e pastaj të lexoj tregime. Për mua ishte diçka si të bërit e magjisë.
Në mesin e shumë pjesëmarrësve në edicionin e çmimit letrar “Kadare 2023”, ju u zgjodhët fituese e këtij çmimi, si mund ta përshkruash këtë?
Sigurisht që tendenca ime nuk ishte fitorja. Por, sigurisht që sot jam shumë e vetëdijshme dhe mirënjohëse të themi me gjithë çfarë ndodhi. Pritshmëria ime ishte që të jem në 10 finalistët që të besoj apo të kuptoj se proza që po shkruaja për shumë vite, ia vlente dhe se po bëja diçka që duhej të kisha guximin ta shfaqja përpara lexuesit.
Një shpjegim mbi romanin tënd “ Dua të jetë dashuri” që të bëri pikërisht fituese e çmimit letrar “Kadare 2023”?
Nuk do të kisha dashur të tregoj rrëfimin e romanit, se pastaj do t’i humbej kuptimi leximit të tij, por po rrëfej në pika të shkurtra se ky roman shpjegon jetën e një vajze që jeton në provincë, në Ujhanë, vend ku secili individ merret me tjetrin dhe jo me veten, ky dhe ishte shqetësimi më i madh i personazhit kryesor, Irisit, e cila nuk e gjen veten pjesë të atij mentaliteti, ndaj kërkon shpëtimin, kërkon kthjellimin dhe si t’u bëjë ballë gjithë atyre zakoneve e rregullave, të cilat realisht askush nuk dinte pse dhe si i bënin. Pastaj kemi personazhin Blu, që mes dramash të shumta, erdhi për t’ia mësuar Irisit lirinë e jetës.
Kush apo çfarë të frymëzon më shumë për të shkruar?
Për të shkruar më frymëzon gjithçka që e gjej të pazakontë në të zakonshmen e saj. Çdo gjë ka ngjyrën e saj, esencën se si vjen dhe afrohet te ne. Nëse ne do ta kuptonim rëndësinë e jetës, do ta kuptonim dhe rëndësinë e fjalës, të shiut, të erës, të gjethit… do të arrinim të përpjestoheshim me 1 dhe jo me 0 dhe kjo është ajo për të cilën dua të flas e të vazhdoj të shikoj.
Çfarë presim nga Nuria në të ardhmen?
Po e lë gjithçka hapur…