Telegrafi

Kush është “kafsha” e Barcelonës sipas Xavit dhe Busquetsit

Trajneri i Barcelonës, Xavi dhe kapiteni Sergio Busquets ishin të mahnitur nga performanca e pabesueshme Gavit, teksa Blaugranaasit mundën rivalët e mëdhenj Real Madridin në finalen e Superkupës së Spanjës.

18-vjeçari hapi rezultatin teksa Barça mposhti Los Blancos 3-1 në finalen e së dielës, të luajtur në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad. Fituesi i çmimit “Djaloshi i Artë” për vitin 2022, është një produkt i akademisë së famshme të Barcelonës “La Masia”, ishte elektrik në krahun e majtë dhe i dha një kohë të vështirë mbrojtësit të djathtë të Real Madridit, Dani Carvajal, duke regjistruar një gol dhe një asist.

Përfundimi i mrekullueshëm i Gavit në minutën e 33-të e vuri Barcelonën në fillimin e përsosur në edicionin e 251-të të El Clasicos. Reprezentuesi spanjoll më pas asistoi te Robert Leëandoëski për një goditje të thjeshtë përpara përfundimit të pjesës së parë, duke e lënë trajnerin e tij “pa fjalë”. “Djaloshi i Artë” në vitin 2021, Pedri bëri rezultatin 3-0 në pjesën e dytë, ndërsa Karim Benzema shënoi golin ngushëlluese për Real Madridin.

“Kam mbetur pa fjalë”, deklaroi Xavi për Marcan rreth performancës së Gavit pasi fitoi trofeun e tij të parë si trajner i Blaugranas. “Ai është pasion i pastër, shpirt i pastër. Më lë një shije të keqe kur nuk luan. Ai është frymëzues për ekipin dhe është vetëm 18 vjeç”.

“Gavi është një fëmijë që na emocionon të gjithëve. Ai vendos shpirtin dhe karakterin dhe infekton pjesën tjetër të ekipit me të. Ai është një lider i lindur dhe vjen nga brenda. Inati që del prej tij është spektakolar. Nuk lodhem kurrë të lavdëruarit. Ky djalë nuk ka tavan”, vazhdoi strategu i katalunasëve.

34-vjeçari Busquets, i cili fitoi Superkupën e Spanjës për herë të shtatë në karrierën e tij të shquar, ishte plotësisht dakord me trajnerin e tij. Ai tha për Mundo Deportivon: “Gavi është një kafshë konkurruese. Në atë moshë, shumica e lojtarëve janë në ekipin e të rinjve, por ai është këtu, duke luajtur në një nivel të jashtëzakonshëm, duke shënuar gola dhe duke dhënë asistime. Unë do t’i thosha që të vazhdojë të mësojë. Shpresoj që ai të shënojë një epokë te Barça”.

Ishte një ditë triumfuese për Barçën, e cila i dha fund thatësirës dyvjeçare për trofe në mënyrë të theksuar. Me një epërsi prej tre pikësh ndaj Realit në krye të tabelës së La Ligës, pavarësisht se humbi El Clasicon e parë të këtij sezoni, ata shpresojnë të rikthejnë titullin e kampionit në ligë në “Camp Nou”. /Telegrafi/