Site icon Telegrafi

Ky është Hajrulla Çeku, ministri i ri i Kulturës

Të hënë më 22 mars është votuar Qeveria e re e Kosovës me Albin Kurtin kryeministër.

Në Qeverinë Kurti 2 janë tre zëvendëskryeministra dhe 15 ministri.

Në ministrat e rinj është edhe Hajrulla Çeku, i cili do të udhëheq me Ministrinë e Kulturës dhe Sportit, transmeton Telegrafi.

Por kush është Hajrulla Çeku, i cili për herë të parë ka marrë postin e ministrit?

Hajrulla Çeku është lindur në vitin 1983 në Prizren. Ka studiuar në Universitetin e Prishtinës, drejtimi “Shkenca Politike” dhe ka magjistruar në “Qeverisje dhe Zhvillim Lokal” në Universitetin e Trentos, Itali dhe Universitetin e Regensburgut, Gjermani. Për 15 vite ka qenë pjesë e shoqërisë civile i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, planifikimit urban dhe mjedisit. Ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës.

Përgjatë viteve u angazhua në shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare. Ka qenë dhe vazhdon të jetë i angazhuar në shumë prej tyre. Ka shërbyer edhe si anëtar i Këshillit Kosovar të Turizmit, ndërsa në cilësinë e ekspertit të jashtëm ka përkrahur hartimin e politikës nacionale për konservim të integruar të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Ka qenë zëvendës-ministër i Turizmit dhe Mjedisit në qeverinë e Shqipërisë.

Hajrulla Çeku ka përfunduar disa programe ndërkombëtare të aftësimit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të drejtat e njeriut, menaxhimin e turizmit, shkathtësitë e lidershipit në Shtetet e Bashkuara, Maltë, Gjermani, Belgjikë, Kroaci dhe Francë.

Çeku u zgjodh deputet në legjislaturën 2019-2021 dhe gjatë kësaj periudhe ishte Kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë, anëtar i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis dhe anëtar i Komisionit për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim. Po ashtu ka qenë udhëheqës i Forumit për Transperencë Parlamentare, dhe pjesë e Grupit të Deputetëve të Gjelbër.

Përveç gjuhës amtare, flet gjuhën angleze, turke dhe serbe. Ai është i martuar dhe ka një vajzë.

( Të dhënat për Çekun janë marrë në faqen zyrtare të Vetëvendosjes)

Ndryshe, për Qeverinë Kurti 2 kanë votuar 67 deputetë ndërsa kundër kanë votuar 30.

Kurti në kabinetin e tij do të ketë zëvendëskryeministër Besnik Bislimi, Donika Gërvalla zëvendëskryeministre dhe po ashtu do të udhëheq Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Emilja Rexhepi zëvendëskryeministre.

Ky është Kabineti Qeveritar:

Kryeministër, Albin Kurti

Zëvendëskryeministër i parë për Integrime evropiane, zhvillim dhe dialog, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Zëvendëskryeministre e tretë për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi

Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati

Ministre e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia

Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi

Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu

Ministër i Bujqësisë, Faton Peci

Ministër i Mbrojtjes, Armend Mehaj

Ministër i Brendshëm dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla

Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari

Ministre e Ekonomisë, Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq

Ministër për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka /Telegrafi/

Exit mobile version