Emri i saj është më i kërkuari në internet orët e fundit. Ajo quhet Gina Miller dhe është një investitore britanike.
Por përse po përflitet kaq shumë emri i saj?
Për shkak se 51-vjeçarja së bashku me dy të tjerë, kërkoi që Gjykata e Lartë në Britani të vendosë se kush duhet të kërkojë nisjen e bisedimeve për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.
Gjykata e Lartë vendosi se duhet të jetë parlamenti ai që do e marrë këtë vendim, duke i dhënë të drejtë Miller.
Mediat britanike e shohin këtë si një goditje të fortë për qeverinë e Theresa May, që kishte menduar se mund të niste vetë bisedimet për largimin nga BE.
Çfarë implikimesh ka një vendim i tillë?
Disa thonë se kjo nuk e ndalon daljen e Britanisë nga BE, por krijon një krizë kushtetuese.
Tabloidët britanikë, që ishin të zëshëm në betejën për largimin e Britanisë nga BE, kanë nisur të sulmojnë zonjën Miller.
Daily Mail shkruan se ajo po e nxjerr demokracinë britanike nga binarët.
“E bukur, e vendosur dhe me shumë lidhje, ish-modelja e lindur në Amerikën e Jugut, ishte figura kryesore në betejën e zhvilluar në Gjykatën e Lartë”, shkruan DM.
Ajo është gruaja e një financieri milioner, i njohur edhe si “Mr. Hedge Fund”.
Kjo për shkak se ai ka bërë 30 milionë sterlina që kur nisi këtë punë në vitin 1997.
I shoqi i saj, Alan Miller, u bë i famshëm në vitin 2006 kur u divorcua me bashkëshorten e tij Melissa.
Melissa fitoi 5 milionë sterlina nga pasuria e tij pas betejës gjyqësore.
Në atë kohë mediat raportuan se ai ishte shprehur: “Do na kishte kushtuar më lirë po ta shtypnim me makinë”.
Kurse Gina Miller ka një firmë të saj, bashkë me të shoqin, me një pasuri prej 100 milionë sterlina.
Ata që bënë fushatën për qëndrimin e Britanisë në BE, kanë nisur ta quajnë “gruaja e shekullit”.
Në fjalimin që mbajti pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Gina Miller, teksa qeshte, tha: “Të gjithë duhet të festojmë sot, pasi ky vendim mbron sovranitetin e parlamentit”.
Nëna e tre fëmijëve lindi në Guajana, por është rritur në Britani.
Miqtë e saj thonë se ajo e ka gjuhën acid dhe fiton çdo debat.
Vetë e përshkruan veten si ‘luftëtare natyrale’. /mapo.al/