Site icon Telegrafi

Kush është Florijana Ismaili, futbollistja e vetme shqiptare që e përfaqëson Zvicrën

Florijana Ismaili (Foto: Instagram/_florij)

Kapitenia e Young Boys, Florijana Ismaili, është shpallur e zhdukur që nga e shtuna pasdite kur me një kolege të sajën kishin dalë për të lundruar dhe notuar në Liqenin Como në Itali.

Ndërkohë që ekipet e kërkim-shpëtimit janë në kërkim të saj, mësoni më shumë lidhur me jetën dhe karrierën e 24-vjeçares.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për zhdukjen e Florijana Ismailit

Në përfaqësuesen e Zvicrës ka yje, si Ramona Bachmann dhe Lara Dickenmann, mirëpo për vite të tëra, Florijana ka qenë lojtarja e cila e ka bërë lojën në skuadër. Ajo u vlerësua shumë për potencialin e saj në vitin 2015 duke u përfshirë në Kampionatin Botëror në Kanada. Para Kampionatit Evropian të vitit 2017, mesfushorja ofensive i bëri të gjitha përgatitjet, mirëpo befasisht nuk i ftua nga ish-trajnerja Martina Voss-Tecklenburg për të qenë pjesë e turneut në Holandë.

Pas kampionatit Evropian, Ismaili u rikthye në përfaqësuese, ku i ka regjistruar 33 ndeshje. Duke qenë një besimtare myslimane, ‘Flori’ është shprehur: “Lutem para secilës ndeshje. E kam marrë këtë si fëmijë nga shtëpia, është pjesë e imja. Feja më bën më të fortë. Lutem në zhveshtore, para secilës ndeshje”.

E lindur në Aarberg në Kantonin e Bernës dhe me origjinë nga Presheva, Floriana është shprehur shumë e lumtur, duke qenë se ishte futbollistja e vetme me rrënjë shqiptare që luante për Zvicrën. Një dallim i madh nga skuadra e meshkujve, e cila është dominuar nga lojtarë shqiptarë.

Florijana është quajtur “Xherdan Shaqiri i ekipit të femrave të Zvicrës”, sepse mund të luajë në fazën ofensive në krah, por edhe në pozitën e dhjetëshes. Dhe duke qenë shqiptare, ajo është krahasuar me Shaqirin.

Karrierën në futboll e nisi në moshën dhjetëvjeçare te FC Walperswil e frymëzuar nga babai i saj. Në moshën 16 vjeçare, Young Boys e vërejti talentin e saj dhe e përfshiu në skuadër, ku ka luajtur për ekipin e parë që nga viti 2011 duke qenë lojtarja kryesore.

Te Zvicra, megjithatë, ajo mbeti në rolin e ‘xhokerit’, sidomos për faktin se kishte refuzuar të luante në klubet jashtë Zvicrës. Megjithatë, asaj kurrë nuk i ka munguar potenciali. Krahas të qenit futbolliste, ajo ka punuar pjesërisht në një qendër fitnesi në Bernë.

Është lidhja e ngushtë që e ka me familjen, ajo që nuk e ka lejuar Florijanën të largohet nga Zvicra për të luajtur për klube tjera të mëdha. Kur është pyetur se çfarë do të bënte në rast se do të fitonte miliona, 24-vjeçarja është shprehur: Në radhë të parë, do të ndërtoja një shtëpi për prindërit e mi”.

Ndryshe, gjatë muajit qershor, Këshilli Kombëtar Shqiptar e shpalli atë ‘Ambasadore të Luginës’. njëherësh, ajo është edhe ambasadore e ‘Credit Suisse Cup’.

“KKSH me dhuroi Titullin Ambasadore e Luginës, edhe pse isha e vetmja femër, vendi im nuk më harroi! Falënderimi i takon z. Ragmi Mustafa dhe z.Enkel Rexhepi që më mundësoi ta kem një shenjë respekti nga Lugina. Nder i veçantë për këtë titull”, kishte shkruar futbollistja me këtë rast.

Florijana Ismaili e kishte përfaqësuar Zvicrën edhe në grupmoshat U-17 dhe U-19, ndërsa për ekipin e parë debutoi më 16 janar 2014 në një ndeshje kundër Portugalisë. Vetëm dy javë më parë, ajo e kishte zhvilluar ndeshjen e fundit me përfaqësuesen.

Në total, 24-vjeçarja i ka zhvilluar 33 ndeshje për Zvicrën, ndërsa te Young Boys është kapitene. Në sezonin e kaluar kishte realizuar shtatë gola duke u bërë golashënuesja më e mirë në skuadër. /Telegrafi/

Exit mobile version