Për gati nëntë muaj, udhëheqësit e Kosovës dhe ata të Serbisë shkuan vetëm një herë në Bruksel për bisedime – dhe nuk u takuan me njëri-tjetrin. Palët këmbejnë akuza për moszbatim të marrëveshjeve të arritura, por kush është fajtor që procesi për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi ka ngecur?
Takimet e mbajtura së fundi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qoftë në nivelin e lartë apo në atë të kryenegociatorëve, kanë një emërues të përbashkët: përfundimin pa rezultate konkrete.
Palët, që dialogojnë prej vitit 2011 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, vazhdimisht fajësojnë njëra-tjetrën për moszbatim të marrëveshjeve ekzistuese apo për dështim të dialogut, ndërkaq BE-ja ka theksuar se ka mungesë të vullnetit politik për zbatimin e marrëveshjeve.
Kosova dhe Serbia kanë edhe mendime të ndryshme për përfundimin e procesit të normalizimit të raporteve. Kosova kërkon njohje reciproke, ndërkaq Serbia do kompromis ku “asnjëra palë s’do të jetë fituese absolute apo humbëse absolute”, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Marrëveshja e fundit që palët arritën, më 2023, ishte ajo për rrugën drejt normalizimit të raporteve – e njohur edhe si Marrëveshja e Ohrit – të cilën Brukseli e konsideron arritje të madhe.
Kjo marrëveshje – që nuk është nënshkruar për shkak të refuzimit të Serbisë – parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, si dhe njohjen e ndërsjellë të simboleve shtetërore. Ajo kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e arritura më herët, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, themelimin e të cilit Serbia kërkon me ngulm, ndërsa Kosova deri më tani e ka refuzuar.
“Nga normalizimi në menaxhim krizash”
Toby Vogel nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Bruksel, thotë për Radion Evropa e Lirë se dialogu nuk po shënon sukses që shumë vite, pasi, sipas tij, përqendrimi është zhvendosur nga arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për normalizim, në menaxhim të krizave, që veçmas shpërthyen vitin e kaluar.
Fajin për ngecjen në dialog, ai ua vesh të tria palëve.
“Pengesa kryesore vjen nga Serbia”, pohon Vogel, sipas të cilit Beogradi “nuk dëshiron normalizim, sepse përfiton nga situata aktuale” e pasigurisë.
Por, as Kosova, sipas Vogelit, nuk është e interesuar për procesin e dialogut, sepse e di që rruga e saj evropiane “do të jetë e mbyllur për shumë vjet”, pasi normalizimi është vendosur kusht për integrimin evropian për të dyja vendet. “Të dyja palët nuk janë të interesuara për zgjidhje, tash për tash”, thotë Vogel.
E, sa i përket BE-së, Vogel konsideron se Brukseli për vite të tëra e ka “keqmenaxhuar” procesin e dialogut.
Përderisa janë mbajtur takime në nivel kryenegociatorësh, dialogu në nivel politik ishte joekzistent për pothuajse nëntë muaj. Nga 14 shtatori i vitit 2023 deri më 26 qershor 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk shkuan në Bruksel për një rund bisedimesh.
Në pjesën më të madhe të vitit të kaluar, tensionet ishin të larta: nga protestat e majit, në veri, kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të komunave, deri te përshkallëzimi në Banjskë, kur një grup i serbëve të armatosur, të udhëhequr nga Millan Radoiçiqi, sulmoi Policinë e Kosovës.
Sipas Vogelit, ngjarjet në maj, por edhe sulmi në shtator, duhej të ishin “zile zgjimi” në BE, për ndryshimin e qasjes në dialog.
Vogel thotë se, edhe pas Banjskës, Serbia ka vazhduar të mos përballet me presion, të paktën jo publikisht nga BE-ja, ndërkaq ndaj Kosovës ende janë në fuqi masat ndëshkuese të vendosura për shkak të tensioneve në veri.
Kushtet e Kurtit për dialogun
Në rundin e fundit të dialogut, më 26 qershor, ndonëse ishte paralajmëruar një takim ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, për të biseduar për Marrëveshjen e Ohrit, BE-ja tha se kryeministri kosovar refuzoi të ulet në një tavolinë me presidentin serb, si dhe vendosi tri kushte për angazhimin e mëtejmë në proces.
Kurti kërkoi të nënshkruhet Marrëveshja e Ohrit nga palët, të tërhiqet një letër e 13 dhjetorit 2023 e ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq – ku Serbia thotë se nuk do t’i zbatojë disa pjesë të marrëveshjes – si dhe të dorëzohet Radoiçiqi dhe grupi i tij nga ana e Serbisë tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.
Vogel nuk e cilëson paktin e vitit të kaluar si marrëveshje, për shkak se, siç thotë ai, në letrën e Bërnabiqit, Serbia e pranoi se nuk do të pajtohet me atë që nënkupton njohje de facto të sovranitetit dhe pavarësisë së Kosovës. E kuptimi i normalizimit, sipas tij, është njohja.
Edhe BE-ja tha më 1 korrik se “konsekuenca logjike e normalizimit do të ishte njohja”. Ky qëndrim i BE-së, për Vogelin, është sinjal se blloku “e ka pranuar se dialogu nuk po jep rezultate”.
Kushtet e vendosura nga Kurti, Vogel i sheh si të arsyeshme dhe i cilëson si parimore, por thotë se ai është dashur t’i bëjë ato publike para se palët të shkonin në Bruksel.
Por, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, në një intervistë për Klan Kosovën më 3 korrik, tha se pret nga Kosova dhe Serbia që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e dialogut “pa parakushte” dhe “me urgjencë”.
Ndryshimi i ndërmjetësve
Më vonë, gjatë këtij viti, në BE pritet të ndryshohen udhëheqësit e institucioneve kyçe. Vendin e shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, pritet ta zërë kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, ndërkaq në vendin e emisarit të dialogut, Mirosllav Lajçak, ende nuk dihet se kush do të vijë.
Përderisa Kurti dhe Vuçiq po shihen si hezitues për të normalizuar raportet, Vogel thotë se me ardhjen e Kallasit, atmosfera në dialog do të ndryshojë, por edhe Serbia duhet të bëhet gati që të përballet me pak më shumë presion nga BE-ja. /REL/