Këngëtarja nga Shqipëria, Elsa Lila, është arrestuar sot (e mërkurë) nga policia italiane pasi ishte pjesë e një grupi trafikimi droge.
Ajo u arrestua së bashku me 12 persona të tjerë, në mesin e tyre edhe disa boksierë që operonin në zonën e Acilias në Romë.
Sipas raportimeve që janë bërë nga mediat italiane, autorja e këngës “Diferenca je ti” mbante llogaritë e grupit të trafikut të drogës.
Por, kush është Elsa Lila?
Elsa Mariana Lila ka lindur më 15 qershor të vitit 1981 në Tiranë dhe aktualisht është 40 vjeçe. Ajo është një artiste e muzikës së lehtë nga Shqipëria, gjersa kultivon muzikën shqipe dhe italiane me elementet arbëreshe.
E njëjta kishte treguar talentin e saj të këndimit dhe po ashtu aktrimit që kur ishe fëmijë me pjesëmarrjen nëpër konkurse të ndryshme, realizuar aso kohe.
Në moshën 15-vjeçare, në vitin 1996, ajo fitoi konkursin kombëtar të këngëve shqiptare dhe fitoi çmimin publik shqiptar nëpërmjet televotimit. Dy vite më vonë, 1998, mori vëmendje meqenëse fitoi në Shqipëri konkursin ndërkombëtar të këngës Varna në Bullgari, ku morën pjesë 14 vende të tjera.
Ndërkohë, në vitin 1999 në moshën 18 vjeçare, Lila u zgjodh “këngëtarja shqiptare e shekullit” nga sondazhi kombëtar i radios së shtetit shqiptar.
Në po të njëjtin vit, Elsa fitoi konkursin e parë të “Kënga Magjike”. Në vitin 2001, këngëtarja u nderua me “Ambasadorin e Muzikës Shqiptare në Botë” nga Rexhep Mejdani, President i Republikës së Shqipërisë.
Suksesin e madh që e krijoi në Shqipëri, këngëtarja e shfaqi edhe në shtetin Italian.
Ajo kishte prekur skenën e madhe të Festivalit të Sanremos me këngën “Valeria” në vitin 2003. Në 2007, mori pjesë sërish me këngën “Il senso della vita”.
Që nga ajo kohë jeta e artistes ka vijuar në Romë, Itali.
Përkundër se ka bërë një tërheqje nga muzika prej shumë vitesh, ajo numëron hite të mëdha si: “Ika larg”, “Larg Urrejtjes”, “Moj e bukura Shqipëri”, “Pyes lotin”, “Vetëm një fjalë” etj.
Sa i përket jetës private, Elsa ka qenë e martuar me Alessandron, me të cilin ka edhe një vajzë të quajtur, Evita.
Në rastin me grupin italo-shqiptar, tani është në kërkim edhe një tjetër shtetas shqiptar, i cili gjithashtu kishte luajtur një rol themelor e të spikatur në organizim. /Telegrafi/