Anthony Joshua do të mbrojë titujt WBA dhe IBF ndaj Carlos Takam, kjo pasi kundërshtari i tij i parë Kurban Pulev u tërhoq për shkak të lëndimit. Por, kush është Takam?
Armand Carlos Netsing Takam, i njohur si Carlos Takam, është një boksier kamerunaso-francez, 36-vjeçar dhe ish-kampion i argjendtë në WBC.
Për dallim nga Pulev, Takam ka një stil krejt ndryshe. Preferon luftën ballore, agresive dhe ul ritmin teka i afrohet rundit final, por gjithmonë ka forcën të befasojë kundërshtarin.
Si amator përfaqësoi Kamerunin në peshat super të rënda në Lojërat Olimpike 2004.
Si boksier profesional në 12 vite ka regjistruar një rekord prej 35 fitoreve (27 me nokaut), tri humbjeve dhe një barazim dhe ky do të jetë meçi i parë për titullin e botës në pesha të rënda.
Ai është 1.87 centimetra i gjatë, që i bie 11 centimetra më i vogël se Joshua. Peshon 107 kilogram, shtatë më pak se Anthony, transmeton Telegrafi.
Në maj të vitit të kaluar, Takami humbi nga Joseph Parker (i cili aktualisht mban titullin WBO) pas vendimit me pikë, por ia doli të tregojë një paraqitje të mirë.
Gjithsesi, përballja me Joshuan i mund të jetë një rikthim i shpejtë në majat e boksit, kjo pasi për këtë luftë u vendos vetëm 12 ditë më parë.
Por, kjo nuk e ka zënë në befasi numrin tre në kategorinë IBF, pasi ai nuk ka ndalur asnjëherë stërvitjet.
Ai ka qëndruar në një kamp stërvitor për dy muaj, pasi si profesionist që është i ka marrë me seriozitet shanset se Pulev mund të lëndohej dhe atij t’i hapej rruga. Kjo është një tregues për vullnetin dhe dëshirën e madhe për të arritur në majat e boksit.
Takam ka teknikën, goditjen e fuqishme dhe fizikun, pra në teori të gjitha për të befasuar Joshuan. “Kjo ndeshje do ma ndryshojë jetën sportive, jam i gatshëm të jap gjithçka”, këto fjalë nga boksieri afrikan mund të jenë një tregues i vogël, i një befasie të madhe.
Por, mos të harrojmë, gjithmonë me këmbë në tokë, presioni është mbi Takam dhe bastet mbi Joshuan. /Telegrafi/