Blerim Reka është kandidati i vetëm shqiptar në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Ai kandidon si kandidat i pavarur por që mbështetet nga partitë opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.
Telegrafi Maqedoni ju sjell në pika të shkurtra përvojën e tij si profesor dhe ish-ambasador i Maqedonisë në Bashkimin Evropian.
Ai për momentin e mban pozitën e Pro rektorit në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), për kërkime shkencore dhe zhvillim të universitetit. Në këtë pozitë ai është emëruar në shtator të 2010.
Nga qershori i 2006 deri më korrik të 2010 ai ka qenë ambasador dhe shef misioni për Maqedoninë në Bashkimin Evropian, në Bruksel të Belgjikës. Atje ai ka pasur për detyrë që të mirëmbajë projekte për liberalizimin e vizave për Maqedoninë, menaxhim me IPA fondet dhe projekte për edukim dhe zhvillim, njofton Telegrafi Maqedoni.
Më herët, ai ka mbajtur dy pozita në UEJL si prorektor gjatë vitit 2005-2006 dhe nga viti 2003 deri 2006 ka qenë dekan i fakultetit të administratës publike.
Në karrierën e tij, ai ka pasur mbi dhjetëra publikime ku ka qenë autor apo bashkautor me kolegë tjerë. Temat e publikimeve lidhen me politikën, gjeopolitikën, drejtësia në BE, studimet evropiane dhe rolin e UNMIK-ut në Kosovë gjatë kohës së pasluftës në Kosovë.
Ndryshe, zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 21 prill të këtij viti ku përveç Rekës, në garë janë Stevo Pendarovski i mbështetur nga 31 parti (mes tjerash, BDI dhe LSDM), dhe Gordana Siljanovska-Davkova nga OBRM-PDUKM dhe partitë tjera opozitare maqedonase. /Telegrafi/