Gjykatat vendore po e zbatojnë sistemin e standardeve të dyfishta, konsiderojnë ekspertët. Pas refuzimit të shqiptimit të masës së kujdesit, të cilën Prokuroria Speciale e kërkoi për Nikolla Gruevskin, Mile Janakieskin dhe Toni Trajkovskin, gjithnjë e më e sigurt është nevoja për formimin e një departamenti të veçantë në gjyq, qe do t’i trajtojë lëndët e Prokurorisë Speciale, thotë avokati Aleksandër Nakov. Kjo gjykatë do të funksiononte vetëm po qe se përbërja e gjyqtarëve do të ishte plotësisht e pavarur, gjegjësisht , do të ishte imune ndaj çfarëdolloj ndikimi, thotë ai.
“Unë jam i bindur se shteti ka kapacitet dhe kuadër të formojë një departament të këtillë. Për momentin, do të cekja në mënyrë paushalle se kemi rreth 10 deri 15 gjykatës të ndershëm dhe me përvojë, jo vetëm nga Shkupi, por edhe nga qytetet tjera, të cilët do të mund të ishin pjesë e ekipit të kësaj gjykate speciale. Në rast nevoje, mund të angazhohet edhe kuadër i pensionuar, por është koha që një herë e mirë të funksionojë dhe Prokuroria Speciale më në fund të punojë”, tha Nakov.
Në konferencën e fundit për shtyp, prokurorja Lençe Ristovska përsëri tha se një pjesë e madhe e institucioneve nuk po bashkëpunojnë me Prokurorinë Speciale, nuk i dorëzojnë në kohë materialet e kërkuara dhe në këtë mënyrë ngadalësohet puna gjatë kompletimit të lëndëve. Ajo e përmendi rastin “Puçi”, ku tha se Gjykata Themelore 1, vazhdon të mos i dorëzojë provat për këtë rast.
“Thjesht neve nuk na mundësohet qasja për këtë rast, përkundër faktit se Gjykata e Apelit mori vendim që Gjykata Themelore të na i dorëzojë provat. Por ne nuk morëm asnjë kopje të provave. Edhe pse Gjykata e Apelit vërtetoi se Gjykata Themelore Shkupi 1 i shkel dispozitat ligjore, përsëri provat nuk po na i dorëzojnë”, thotë Ristovska.
Përndryshe, deri tani, nga gjykatat nuk është shqiptuar asnjë masë e kërkuar nga Prokuroria Speciale, përveç një paraburgimi shtëpiak për një bashkëpunëtor në rastin “Transportuesi” . Pasi Ivanovi i tërhoqi të gjitha abolimet, PPS kërkoi dy paraburgime, për shefin e drejtorisë së pestë të DSK – Grujevskin dhe kryetarin e komunës së Manastirit Vlladimir Talevskin, i cili të enjten nuk u paraqit në dëgjim në Prokurorinë Speciale. Për rastin “Fortesa”, Gjykata Penale e njoftoi PPS-në se Goran Gujevski, Gordana Jankullovska dhe tre të dyshuar të tjerë, nuk do të paraqiten në dëgjim, derisa prokuroria nuk u dorëzon prova. Për rastin “Tortura” ku ishte i dyshuar ish drejtori i DSK-së Sasho Mijallkov dhe ish komandanti i Alfave i njohur is Puki, u kërkua masa e sigurisë dhe ndalim për kryerje të autorizimeve për policët që punojnë në MPB. Por, pas kthimit të Çavkovit në pozitë, ai përsëri u rikthye si komandant i Alfave./Telegrafi/