Site icon Telegrafi

Kusari-Lila uron Çitakun për përfundimin dinjitoz të detyrës si ambasadore

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe kërkesën e ministrit të Punëve të Jashtëm, Glauk Konjufca që të largohen nga shërbimi diplomatik disa ambasadorë. Kërkesën për largim e ka pranuar ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Lidhur me këtë Kusari-Lila, i është drejtuar Çitakut me një postim në Facebook, duke e uruar atë për përfundimin dinjitoz të detyrës, transmeton Telegrafi.

“Çdo fillim ka fundin e vet, çdo fund ka fillim të ri. Sikur të kam uruar nga Gjakova për fillimin tënd si Ambasadore, sot të uroj nga Prishtina për përfundimin dinjitoz të detyrës tënde.
Përkundër dallimeve, gjithmonë do të kemi arsye për të bërë: Gëzuar”, ka shkruar deputetja në Facebook, transmeton Telegrafi.

Ndryshe, Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka thënë se do ta respektojë kërkesën e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca.

Çitaku ka shkruar se ajo është emëruar ambasadore përmes çelësit politik, duke shtuar më tej se nuk do të lejoj që të bëhet mish për top në betejën mes Qeverisë dhe Presidencës.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka propozuar kthimin e shtatë ambasadorëve të Kosovës nga shërbimi diplomatik në botë, saktësisht ambasadores Vlora Çitaku, ambasadorit Edon Cana, Lirim Grejçevci, Shpend Kallaba, Mimoza Ahmetaj, Ylber Hysa dhe Ramadan Avdiu. /Telegrafi/

Exit mobile version