Telegrafi

Kusari-Lila: Situata aktuale ekonomike ka bërë të domosdoshme marrjen e masave për uljen e abuzimit me çmime

Foto: Arkiv

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se situata aktuale ekonomike ka bërë të domosdoshme marrjen e masave për uljen e abuzimit me çmime.

Sipas saj, marrja e masave të deritanishme nuk kanë ndikuar në uljen e abuzimit me çmimet.

“Kemi ardhur në momentin ku ç’rregullimi i tregut të rregullohet me masa konkrete ligjore të miratuara nga ky Kuvend. GP i LVV-së në seancën e fundit pranveror miratoi Rezolutën që hap rrugën rregullimit ligjor të masave të përkohshme në situatat kur kemi destabilizim të tregut”, tha Kusari-Lila.

Ajo ka shtuar se vendi është në një situatë e pazakontë.

“Në situatën në të cilën jemi e bën të domosdoshme ndërmarrjen e këtyre masave me qëllim të zbutjes së çmimeve themelore. Jemi në një situatë të pazakontë, e cila nuk mund ta ndryshojmë. Masat e tilla të jashtëzakonshme përdorën kur ka lindur një krizë dhe nevojitet një përgjigje specifike”, shtoi ajo.

Në fund, sipas Kusari-Lilas projektligji parasheh propozime konkrete të cilat ndihmojnë qytetarët për përballimin e inflacionit.

“Projektligji i propozuar parasheh propozime konkrete të cilat ndihmojnë qytetarët për përballimin e inflacionit, sidomos në produktet bazike duke përfshirë drithërat, miellin, grurin, bukën, orizin, pastat, vajin ushqimor, kripën e kuzhinës, sheqerin, produktet e higjienës si dhe produktet e tjera themelore”, përfundoi Kusari-Lila. /Telegrafi/