Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Projektligji për paga nuk duhet të diskutohet nën presion dhe kushtëzime. Ajo ka theksuar se nuk duhet të rrezikohet buxheti i shtetit duke e shndërruar në peng të pagesave të pagave.
Në debatin parlamentar për pagat në sektorin publik, Kusari-Lila, tha se ish Projektligji i propozuar nga PAN ka qenë një hendek i madh mes sektorit publik dhe privat.
“Është domosdoshmëri, ky ligj nuk bënë të diskutohet në presion, nuk bënë të diskutohet në kushtëzime, ky duhet të ketë qasjen gjithëpërfshirëse për gjitha kategoritë në shoqëri. Edhe ata që nuk janë me rroga në sektorin publik. Çka kishte shkaktuar atë botë projektligji i prezantuar nga PAN, një hendek enorm të pagave në sektorin publik dhe sektorit privat. Në vitin 2019 është vlerësuar se paga në sektorin publik ka qenë 42 për qind më e lartë se ajo në sektorin privat”, tha ajo.
Kusari-Lila tha se kosto e projektligjit prej 90 milionë është e papërballueshme.
“Nuk guxojmë të rrezikojmë buxhetin e shtetit duke e shndërruar buxhetin në pengë të pagesave të pagave. Kosto prej 90 milionë euro, siç ka qenë e përgatitur në kohën e PAN është e papërballueshme, krijon hendek mes sektorit publik dhe privat dhe sikur të ishte bërë punë e mirë e asaj kohe, sot mbase mund të kishim një draft-ligj që mundemi t’iu referohemi. Por sot puna ka filluar nga zero, dhe si e tillë duhet të trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi, siç na takon”, shtoi ajo./Kp/