Kryetarja e Alternativës, deputete e zgjedhur në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas arritjes së marrëveshjes për krijimin e koalicionit LVV-LDK, ka thënë se kur ke vizion të qartë, asgjë nuk mund ta ndalë rrugëtimin.
Kusari-Lila, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Sekreti i ndryshimit është te fokusosh tërë energjinë jo të luftosh të kaluaren, por të ndërtosh të ardhmen”.
Postimi i plotë i deputetes Kusari-Lila:
“Për Sot:
Kur ke vizion që është i qartë sa duhet dhe i fuqishëm mjaftueshëm, asgjë nuk mund të ndalë rrugëtimin!
Për Nesër:
Sekreti i ndryshimit është te fokusosh tërë energjinë jo të luftosh të kaluaren, por të ndërtosh të ardhmen.
Për çdo ditë të re:
Çdo ditë e re është mundësi e re për të bërë më të mirën!
#ErdhiDita
#QeveriaKurti”, ka shkruar Kusari-Lila.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Kosovë
Sipas kësaj marrëveshjeje, Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga LVV dhe LDK do të ketë 15 ministri, dy zëvendëkryeministra dhe rreth 33 zëvendësministra.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Më 3 shkurt, në seancën plenare të thirrur nga i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, pritet të votohet për Qeverinë e ardhshme të Kosovës, të udhëhequr nga LVV-ja dhe LDK-ja. /Telegrafi/