Site icon Telegrafi

Kusari-Lila për kidnapimin e policëve: Shtrirje e ndërhyrjes së dhunshme të Serbisë në Kosovë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar lidhur me kidnapimin e tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Kosovës nga policia serbe.

Kusari-Lila në reagimin e saj ka thënë se kjo është shtrirje e ndërhyrjes së dhunshme të Serbisë në Kosovë, pas ngjarjeve të fundit në veri.

Ajo gjithashtu ka kërkuar reagim nga komuniteti ndërkombëtar.

“Tre policë kufitarë të Kosovës janë rrëmbyer sot brenda territorit të Kosovës nga xhandarmëria serbe. Kjo është një shtrirje e ndërhyrjes së dhunshme të Serbisë në Kosovë pas ngjarjeve në veri. Vetëm agresori në këto ngjarje të dhunshme banon në Beograd dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë në përputhje me rrethanat”, ka shkruar shefja e deputetëve të LVV-së në Twitter.

Tre zyrtarë policorë kufitar janë kidnapuar këtë të mërkurë në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Kosovës.

Policia ka njoftuar se ata dyshohet që janë kidnapuar nga forcat serbe, teksa kanë qenë në detyrë për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Në mediat serbe janë publikuar edhe pamje të momentit kur policët kosovarë janë prangosur nga policia serbe.

E Telegrafi mëson se tre zyrtarët policorë të Kosovës janë kidnapuar nga Njësia serbe “Kobra”./Telegrafi/

Exit mobile version