Telegrafi

Kusari-Lila për draft-statutin e Ramës: S’kemi nevojë për shpëtimtarë

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se nuk e kanë parë draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Sipas saj, si i tillë duhet të përfundojë në Kosovë, e jo në Gjermani në Francë.

Ajo ka paralajmëruar se iniciativat e tilla, sado mund të kenë qëllimin e mirë, mund të përfundojnë keq.

“Përtej asaj se një iniciative ndoshta me qëllim të mirë, por që mund të shkojë keq, është një thënie e vjetër që thotë se ‘rruga për në ferr është e ndërtuar me qëllime të mira’. Prandaj nuk e shoh jashtë këtij konteksti as këtë propozim”, deklaroi Kusari-Lila.

Shefja e deputetëve të shumicës shtoi se mund të bisedojmë me kryeministrin Rama dhe në “gjuhën e pastër shqipe” në mënyrë që të kuptohen qartë.

“Ne nuk kemi si ta shohim, për arsye se nuk e kemi parë atë draft-statut. Siç ka thënë vetë kryeministri Rama, nuk është konsultuar. Unë mendoj që specifikat dhe rrethanat e këtij procesi në Kosovë, janë të tilla që duhet pasur në konsideratë krejt historinë e këtij procesi dhe natyrisht rëndësinë e kuptimit të rrjedhës përpara bazuar në parime”, deklaroi ajo.

Ajo tha se raportet me Shqipërinë janë më tepër se fqinjësore.

“Ky dokument i shkruar nga zotëri Rama besoj përfundon atje për ku është nisur. Ai dokument nuk është për Francën, për Gjermaninë e shtetet e tjera. Ai dokument është për Kosovën, para se të shkojë atje duhet të jetë i Kosovës, me Kosovën dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës”, shtoi Kusari-Lila teksa theksoi se nuk ka patronatin në këtë proces.

Teksa ka folur edhe për propozimet e tjera, Kusari-Lila deklaroi se nuk kanë nevojë për shpëtimtarë për ofrimin e një drafti të statutit për Asociacionin.

“Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar në formën e ofrimit të një drafti të statutit. Ne kemi nevojë për elaborim dhe pronësi të parimeve, të cilat do të jenë në fokus me funksionimin e shtetit, me të drejtat e komuniteteve në Kosovë, e natyrisht edhe me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë”, shtoi ajo.

Shefja e GP-së së LVV-së mohoi se janë prishur raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, shtoi se ekziston vullnet politik për të siguruar legjitimitet të lartë në zgjedhjet në veri.