Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari –Lila ka thënë se as Partia Demokratike e Kosovës e as Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë dërguar komentet e tyre në Zyrën e rregullatorit të Energjisë.
Ajo tha se gjatë periudhës së konsultimeve që ka qenë e hapur për dy javë, nuk janë dërguar zyrtarisht komentet nga këto dy parti.
“Me lejoni t’i kemi disa fakte të qarta të cilat po shtrembërohen këtu para qytetarëve të Republikës së Kosovës. E para Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka hapur periudhën e konsultimeve që ka qenë e hapur për dy javë. As njëri e as tjetër grup nuk kanë dërguar në rrugë zyrtare siç e parasheh Ligji komentet në raport me zyret e ZRrE-së”, tha Kusari-Lila.
Kusari-Lila tha se propozimi i sotëm mund të hidhet në votim, përmes mocionit procedural.
“ZRRE-ja është konsultuar kur e kemi pasur në komisionin për Ekonomi, në fakt iu është thënë disa herë të mos merren me komentet politike që mund të dalin, por me dokumente zyrtare dhe me Ligjin”, tha ajo.
Shefja e GP të LVV-së, tha se janë mekanizmat e tjerë që mund të ndikojnë në zbutjen e ngritjes së çmimit, siç është subvencioni që ka bërë Qeveria e Kosovës. /Telegrafi/