Site icon Telegrafi

Kusari-Lila kërkon të sanksionohet Serbia për moszbatim të marrëveshjes

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, kërkon nga Bashkimi Evropian të sanksionojë Serbinë për moszbatimin e marrëveshjes me Kosovën.

Kusari-Lila thotë se është e vështirë të ketë pritje të mëdha në takimin e radhës Kurti-Vuçiq në Bruksel, derisa Serbia vazhdimisht po e shkel marrëveshjen të arritur me 27 shkurt në Bruksel dhe atë për aneksin e zbatimit të saj më 18 mars në Ohër.

“Serbia po tregon vazhdimisht hezitim për zbatim të marrëveshjes, madje edhe shkelje të vazhdueshme të saj. Kemi parë dy shkelje flagrante të fundit, ajo e interferimit të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor në katër komunat veriore, por edhe votimi kundër në fazën e parë të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Këto të dyja janë shkelje në kundërshti të plotë me të gjitha parimet dhe frymën e marrëveshjes së dakorduar së fundmi. Tani të ndërtohen pritje të reja me të njëjtin akterët dhe palë de-konstruktive është shumë e vështirë… Moszbatimi i pikave të marrëveshjeve nga ana e Serbisë mbetet të tregohet me pasoja për Serbinë, qoftë në procesin e integrimit evropian, apo edhe në fondet e para anëtarësimit që janë të dedikuara për vendet e Ballkanit Perëndimor”, thekson Kusari-Lila.

Sipas saj, e rëndësishme është që në takimin e 2 majit në Bruksel, Kosova të jetë palë konstruktive, që pastaj mos të ketë asnjë pengesë politike për rrugën e vendit në procesin integrues në Bashkimin Evropian.

“Mos të ketë ndalesa qofshin edhe ato artificiale apo politike të rrugës së integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Për ne si shtet më shumë se njohja nga Serbia është e rëndësishme njohja nga 5 vendet jo njohëse të BE-së por gjithashtu edhe rruga e integrimit, si dhe heqja e gjitha barrierave prej lëvizjes së lirë deri tek anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare si Interpol dhe UNESCO”, deklaron ajo.

Duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ajo thotë se Këshilli i Evropës është një mekanizëm shumë i rëndësishëm për Kosovën, ku mund të verifikohen dhe të merren mendime në raport me organizimet e komuniteteve pakicë.

“(Këshilli i Evropës) Për Kosovën është një mekanizëm shumë i rëndësishëm në të cilin ne mund të verifikojmë dhe gjithashtu të marrim mendime në raport me organizimet apo kërkesat e komuniteteve pakicë në Kosovë. Kjo është në modelin evropian dhe frymën evropiane, në atë çka aspirojmë ne. Normalisht pa sfiduar rregullimin apo kushtetutën e vendit”, shton shefja e deputetëve të LVV- së për kp.

Në anën tjetër, Kusar-Lila, nënvizon se pas zgjedhjeve në katër komunat veriore tani ka një realitet të ri atje. Megjithatë, ajo pranon se do të ketë sfida në ushtrimin e mandatit të kryetarëve të rinj në veri.

“Tash është një realitet i ri, i cili do të kërkojë shumë më tepër angazhim për të funksionalizuar dhe natyrisht pasur edhe një mbarëvajtje të ushtrimit të detyrave të marra nga të zgjedhurit në katër komuna dhe dy asambletë komunale. Kjo do të jetë një sfidë e radhës, por gjithashtu edhe një ekspozim më i madh i destruktivitetit të Serbisë ndaj pretendimeve të tyre për Kosovën. Është vendi i vetëm në Evropë që sillet ndaj komunitetit të vend në mënyrë kaq të vrazhdë, duke dashur t’i përdorë ata si vegët e vazhdueshme për pozitën e tyre në raport me Kosovën”, përfundon Kusari-Lila.

Exit mobile version