Site icon Telegrafi

Kusari-Lila: Buxheti i 2023-së ka paraparë projekte kapitale që rrisin mirëqenien te shtresat e caktuara

Foto: Arkiv

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se buxheti i vitit 2023 do të jetë i mirëqenies sociale, zhvillimit ekonomik, sigurisë, mbrojtjes, shëndetësisë e arsimit.

Kusari-Lila gjatë seancës ka theksuar se në këtë buxhet janë paraparë projekte kapitale që rrisin mirëqenien te shtresat e caktuara.

“Projektbuxheti i vitit 2023 është buxhet i mirëqenies sociale, buxhet i zhvillimit ekonomik, buxhet i sigurisë, mbrojtjes, shëndetësisë dhe arsimit. Është buxhet i mirëqenies sociale, sepse do të rritet mbështetja për kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, siç janë lehonat. Po ashtu, përfshirjen në skemën e shtesave të të gjithë fëmijëve deri në moshën 16-vjeçare me një buxhet prej 60 milionë euro. Janë planifikuar edhe 6.5 milionë euro për çerdhet e reja, e cila politikë do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e punësimit, mundësimin e prindërve me theks të veçantë nënave, në inkuadrimin në tregun e punës, duke marrë parasysh që kemi një përqindje tepër të vogël të grave, të cilat janë punëkërkuese aktive në tregun e punës”, ka thënë Kusari-Lila.

Po ashtu, shefja e deputetëve të LVV-së deklaroi se për herë të parë do të ketë skemë të veçantë për fëmijët me aftësi të kufizuara prej 3.5 milionë euro.

“Janë paraparë projekte kapitale që do të rrisin mirëqenien te shtresat e caktuara të shoqërisë, siç është rasti i ndërtimit të pesë shtëpive për kujdesin e të moshuarve. Është buxhet i zhvillimit ekonomik sepse parashihet rreth 106 milionë euro rritje tek investimet kapitale, 120 për qind apo 19 milionë rritje në buxhetin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, 15 milionë euro rritje për Ministrinë e Bujqësisë të fokusuara te subvencionet. Buxhet për sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, i cili është rritur për 20 për qind krahasuar me vitin aktual. Buxhet në sektorin e shëndetësisë që do të jetë 296 milionë me një rritje prej 15 për qind, krahasuar me vitin aktual. Buxhet i arsimit sepse do të ndahen 285 milionë euro në këtë sektor duke përfshirë shkolla të reja, çerdhe për fëmijë, investim në teknologji dhe ngritje të cilësisë së arsimit”, ka shtuar ajo.

Po ashtu, ajo deklaroi se buxheti i paraparë për vitin e ardhshëm do të mbështes komunat me projekte kapitale, ndërsa ka ftuar të gjitha organizatat e shoqërisë civile që të bëhen pjesë e dëgjimeve publike të komisioneve funksionale mes dy leximeve. /Telegrafi/

Exit mobile version