Zbatimi i zgjedhjeve të lira dhe korrekte bashkë me zbatimin e prioriteteve reformuese urgjente do t’i mundësojnë Maqedonisë të kthehet në rrugën e cila do ta çojë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, deklaroi sot në Shkup shefi i diplomacisë austriake, Sebastian Kurz pas takimit me homologun e tij të Maqedonisë, Nikolla Poposki, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Shpresoj se do të arrini të bëni hapa të mëdhenj reformues para së gjithash në drejtim të përforcimit të shtetit ligjor dhe asaj që aktualisht është e domosdoshme, ndërsa ato janë zgjedhje të lira dhe korrekte të cilat duhet të zbatohen. Nëse arrihet kjo, atëherë Maqedonia ndodhet në rrugë të drejtë drejt BE-së dhe gjithsesi do të ketë hapje të negociatave. Për mua e gjithë kjo është jashtëzakonisht pozitive dhe korrekte”, tha Kurz, duke shprehur mbështetje për eurointegrimin e Maqedonisë.
Ministri Poposki theksoi se Maqedonia është falënderuese për mbështetjen austriake.
Në pyetjen e gazetarëve për praninë e tij në tubimin e mbrëmshëm të OBRM-PDUKM-së në Shkup, ministri Kurc theksoi se këtu nuk ka asgjë kontestuese dhe se ka qenë i pranishëm në cilësinë e anëtarit të Partisë popullore evropiane. Ai nënvizoi se qëndron pas çdo fjale dhe se ju ka bërë thirrje qytetarëve të Maqedonisë të dalin në zgjedhje, ndërsa se për kë do ta japin votën e tyre vendosin vetëm ata. /Telegrafi/