Telegrafi

Ndalet rryma në Prizren, teksa Kurti prezantonte buxhetin para qytetarëve

Në sallën “Dokukino” në Prizren, kryeministrit Kurti i është ndalur rryma derisa ai së bashku me anëtarët e Qeverisë po prezantonin buxhetin.

Gjatë shpalosjes së Projektbuxhetit për vitin 2023 para qytetarëve të Prizrenit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kjo komunë do të ketë buxhet për vitin 2023 mbi 92.5 milionë euro, prej tyre sipas tij 32 milionë euro janë të parapara për shpenzimet kapitale.

Kryeministri Kurti i cili ishte i shoqëruar nga ministri i Financave dhe ai i Pushtetit Lokal, theksoi se edhe në vitin 2023, mirëqenia, shëndetësia, arsimi, mbrojtja e bujqësia vazhdojnë të jenë prioritet e qeverisë.

Gjatë fjalimit të ministrit Murati në sallën ku mbahej diskutimi me qytetarët është ndalur rryma.

Ashtu edhe në terr, tre katër minuta ministri Financave vazhdoi prezantimin për buxhetin./Telegrafi/