Site icon Telegrafi

​Kurti: Zvicra duhet të shihet si një model për zhvillimin e Kosovës

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka uruar shtetin zviceran me rastin e Dita Kombëtare të Zvicrës.

“Sot është Dita Kombëtare e Zvicrës, festë e cila kremtohet nga shumë zviceranë anembanë botës. Ata vetë e zgjodhën këtë datë, me një referendum, dhe e vendosën ta kenë si Festë Kombëtare në vitin 1994, duke dhënë shembullin për demokracinë direkte zvicerane, të famshme anembanë botës. Me gjithë dimensionin modern, data bart edhe peshën historike, ajo shënon themelimin e konfederatës 729 vite më parë, si një bashkim vullnetar popujsh e kantonesh” thotë Kurti.

Ai me këtë rast ka përkujtuar se Zvicra është mike e madhe e shqiptarëve dhe e Kosovës, ajo është edhe atdhe i dytë për mbi 250 mijë shqiptarë.

“Përveçse Zvicra është mike e madhe e shqiptarëve dhe e Kosovës, ajo është edhe atdhe i dytë për mbi 250.000 shqiptarë. Shumica syresh janë nga Kosova e nga trojet e tjera që dikur sundoheshin nga Jugosllavia. Ata kanë nisur të shkojnë në Zvicër qysh në vitet ‘60, dhe kanë vazhduar të mërgojnë drejt atij vendi për shkak të diskriminimeve kombëtare, politike dhe ekonomike në vendlindjen e pushtuar. Zvicra ka qenë strehë e sigurt për shumë veprimtarë të përndjekur, dhe ka qenë bazë e rëndësishme e atdhetarizmit tonë. Gjatë luftës ai vend ndihmoi strehimin e të shpërngulurve me dhunë, mbajti ndërkombëtarisht anën e drejtë, dhe vazhdimisht e ka ndihmuar Kosovën pas çlirimit e pavarësisë”, shkruan ai.

Kurti thotë se shqiptarët janë integruar mirë në Zvicër, aq sa shpesh dëgjojmë të thuhet se kombëtarja e Zvicrës është ekipi i tretë më i mbështetur nga shqiptarët, pas Shqipërisë e Kosovës, për shkak të shqiptaro-zviceranëve që luajnë aty.

“Me mirënjohje të madhe për ndihmën që na ka dhënë si shtet e si popull, ia uroj Zvicrës ditën e saj kombëtare, e cila është ditë e shënuar edhe për shqiptaro-zviceranët. Ka ardhur koha që Zvicrën ta shohim, jo më si destinacion mërgimi, por si model zhvillimi për vendin tonë. Kjo nuk është e pamundur, nëse çlirohemi prej të korruptuarve ashtu siç u çliruam prej pushtuesve. Kam bindjen se do t’ia dalim, edhe me ndihmën e vendeve mike, si Zvicra, por edhe me atë të mërgatës sonë, që kurrë nuk e harron atdheun”, ka shkruar Kurti në Facebook, njofton Telegrafi.

Exit mobile version