Telegrafi

Kurti: Ambasadori Walker para se të jetë mik i Kosovës, është mik i së vërtetës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot në ceremoninë e organizuar nga universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ku ambasadori William Walker u nderua me çmimin “Doctor Honoris Causa”, tha se Walker para se të jetë mik i Kosovës, është mik i së vërtetës.

Kurti para të pranishmëve theksoi se misioni verifikues i OSBE-së ndihmoi në ndryshimin e perceptimit ndërkombëtar për UÇK-në, ndërsa diplomati amerikan me deklaratat e tij ka bërë jehonë për masakrën e Reçakut, duke e vlerësuar si krim kundër njerëzimit.

“Në kohë të vështira historike, njësoj si në periudha krizash personale një mik i mirë mund të jetë shpëtimi i nevojshëm… në botën e traditave shqiptare miku i shtëpisë është figurë tejet e respektuar deri në paprekshmëri. E ne jemi mbledhur pikërisht për të nderuar një mik të madh të Kosovës dhe të popullit, diplomatin amerikan Walker”, tha ai.

Kurti tha se për qytetarët e Kosovës, ishte shumë i mirëseardhur misioni i OSBE-së në kohë të luftës dhe ishte lehtë i identifikueshëm pasi kishin vetura ngjyrë portokalli, me të cilët lëviznin 700 anëtarët e këtij misioni.

Kreu i ekzekutivit foli edhe për masakrën e Reçakut.

“Në janar të vitit 1999, Policia e Serbisë e rrethoi fshatin Reçak të Shtimes… ata nuk i lejuan verifikuesit  e OSBE-së të hyjnë në fshat. Në mëngjesin e 15 janarit 1999 forcat e Serbisë vranë 45 civilë shqiptarë në Reçak, duke i lënë trupat e tyre në një luginë ..

Kur kreu i misionit të OSBE, William Walker arriti të hynte në Reçak ai pa trupat e 45 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe…”, tha Kurti.

Për kreun e ekzekutivit të Kosovës asgjë nuk e ka ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në rrafshin ndërkombëtar se sa jehona e masakrës në Reçak, siç ishte raportuar nga ambasadori William Walker.

“Ambasadori Walker, para se të jetë mik i Kosovës, ishte dhe është mik i së vërtetës”, tha Kurti.

“Duke qenë mik i së vërtetës, mbetet përherë mik i Kosovës”, u shpreh kryeministri. /Telegrafi/