Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot në ceremoninë e organizuar nga universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ku ambasadori William Walker u nderua me çmimin “Doctor Honoris Causa”, tha se Walker para se të jetë mik i Kosovës, është mik i së vërtetës.
Kurti para të pranishmëve theksoi se misioni verifikues i OSBE-së ndihmoi në ndryshimin e perceptimit ndërkombëtar për UÇK-në, ndërsa diplomati amerikan me deklaratat e tij ka bërë jehonë për masakrën e Reçakut, duke e vlerësuar si krim kundër njerëzimit.
“Në kohë të vështira historike, njësoj si në periudha krizash personale një mik i mirë mund të jetë shpëtimi i nevojshëm… në botën e traditave shqiptare miku i shtëpisë është figurë tejet e respektuar deri në paprekshmëri. E ne jemi mbledhur pikërisht për të nderuar një mik të madh të Kosovës dhe të popullit, diplomatin amerikan Walker”, tha ai.
Kurti tha se për qytetarët e Kosovës, ishte shumë i mirëseardhur misioni i OSBE-së në kohë të luftës dhe ishte lehtë i identifikueshëm pasi kishin vetura ngjyrë portokalli, me të cilët lëviznin 700 anëtarët e këtij misioni.
Kreu i ekzekutivit foli edhe për masakrën e Reçakut.
“Në janar të vitit 1999, Policia e Serbisë e rrethoi fshatin Reçak të Shtimes… ata nuk i lejuan verifikuesit e OSBE-së të hyjnë në fshat. Në mëngjesin e 15 janarit 1999 forcat e Serbisë vranë 45 civilë shqiptarë në Reçak, duke i lënë trupat e tyre në një luginë ..
Kur kreu i misionit të OSBE, William Walker arriti të hynte në Reçak ai pa trupat e 45 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe…”, tha Kurti.
Për kreun e ekzekutivit të Kosovës asgjë nuk e ka ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve në rrafshin ndërkombëtar se sa jehona e masakrës në Reçak, siç ishte raportuar nga ambasadori William Walker.
“Ambasadori Walker, para se të jetë mik i Kosovës, ishte dhe është mik i së vërtetës”, tha Kurti.
“Duke qenë mik i së vërtetës, mbetet përherë mik i Kosovës”, u shpreh kryeministri. /Telegrafi/
𝐖𝐢𝐥𝐥𝐢𝐚𝐦 𝐖𝐚𝐥𝐤𝐞𝐫 𝐧𝐝𝐞𝐫𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐦𝐞 𝐭𝐢𝐭𝐮𝐥𝐥𝐢𝐧 “𝐃𝐨𝐜𝐭𝐨𝐫 𝐇𝐨𝐧𝐨𝐫𝐢𝐬 𝐂𝐚𝐮𝐬𝐚” 𝐧𝐠𝐚 𝐔𝐧𝐢𝐯𝐞𝐫𝐬𝐢𝐭𝐞𝐭𝐢 𝐢 𝐏𝐞𝐣𝐞̈𝐬 "𝐇𝐚𝐱𝐡𝐢 𝐙𝐞𝐤𝐚"#Telegrafi #WilliamWalker #Peja pic.twitter.com/T2mR5L3S15
— Telegrafi.com (@Telegrafisti) January 14, 2023