Site icon Telegrafi

Kurti: Vuçiq ndjeu shumë presion për shkak të asaj që thashë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk e konsideron takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pjesëmarrjen e përbashkët në një tryezë në Mynih.

Kurti tha se nuk është takuar me Vuçiqin.

“Unë nuk jam takuar me Vuçiqin. Kemi qenë në një tryezë të rrumbullakët, ku kanë qenë të ftuar të gjithë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti, pas pjesëmarrjes në një diskutim mbi mundësitë për Ballkanin Perëndimor.

Ky diskutim u zhvillua në margjina të Forumit Ndërkombëtar të Sigurisë, i cili nisi punimet të premten në Mynih, me pjesëmarrjen e rreth 35 udhëheqësve të shteteve dhe qeverive.

Lexo po ashtu Kurti paraqet tri parime në Munih për të vazhduar dialogu me Serbinë

I pyetur të komentojë debatin me dyer të mbyllura, për të cilin Vuçiq tha se ishte “i ashpër”, Kurti tha se nuk dëshiron të japë detaje, duke u thirrur në rregullat e organizatorit të panelit, që nuk lejojnë të bëhen publike pikëpamjet e pjesëmarrësve (Chatam House Rules).

Megjithatë, Kurti pranoi se ka pasur tensione në tryezën e rrumbullakët.

“Ai (Vuçiq) ndjeu shumë presion për shkak të asaj që thashë. Pastaj pasoi reagimi i tij me nervozizëm”, tha Kurti për Radion Evropa e Lirë.

I pyetur nëse do t’i bëhet presion për heqjen e taksës, Kurti ka thënë se “do ta heqin taksën sapo të zbatojmë reciprocitetin me Serbinë, si një parim të mirë për marrëdhënie konstruktive fqinjësore”.

Të premten në Mynih, presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, morën pjesën në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për hekurudhat dhe autostradat, e cila u arrit me ndërmjetësimin e të dërguarit të Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Kjo marrëveshje më pas u kontestua nga Kurti, i cili përmes një postimi në Facebook tha se ajo është nënshkruar nga persona të paautorizuar.

Exit mobile version