Telegrafi

Kurti, Von der Leyenit: E nevojshme ekstradimi i Radojçiqit në Kosovë dhe vendosja e sanksioneve ndaj Serbisë

Kryeministri Albin Kurti gjatë së hënës ka pritur në Prishtinë, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Kurti shkroi në Facebook se e njoftoi Von der Leyenin me zhvillimet e fundit në vend, takimin e 26 tetorit me liderët evropianë dhe me qëndrimin e Kosovës në raport me propozimin e BE-së dhe ShBA-së për zbatimin e nenit 7, ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike.

Në lidhje me sulmin terrorist, paramilitar dhe kriminal të 24 shtatorit, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ekstradimit të Milan Raojçiq në Kosovë ku do të ballafaqohej me një gjykim fer dhe të drejtë për veprat e tij, dhe në të njëjtën kohë domosdoshmërinë e sanksioneve ndaj Serbisë në mënyrë që sulme të tilla mos përsëriten.

Në takim u fol edhe për Planin për Zhvillim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfitimet e mundshme nga ai, si dhe për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe përparësitë e tij për rajonin, përkatësisht Ballkanin Perëndimor.

“E njoftova për projektet e ndryshme infrastrukturore, përfshirë ato të cilat tashmë kanë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, por edhe projekte tjera të cilat mund të përfitojnë nga mbështetja, sikurse është ai i hekurudhës Prishtinë-Durrës”.

Ky ishte takimi i gjashtë ndërmjet kryeministrit Kurti dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.