Site icon Telegrafi

Kurti viziton Vitinë, një muaj pas karantinimit, thotë se kyçja e kësaj komune në autostradë do të bëhet me një kosto më të ulët

Kryetari i  Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka pritur sot në takim kryeministrin në detyrë, Albin Kurti të cilin e informoi për të gjitha masat që i kanë marrë dhe gjendjen në këtë komunë si komuna e parë ku u shfaq rasti i parë me COVID-19.

Haliti tha se shpresojnë që shumë shpejt të dal nga karantina edhe fshati Stubëll.

“E informova kryeminsitrin për gjendjen në Komunënë e Vitisë, pasi jemi komuna e parë që kemi pasur rastin e parë me COVID-19, pas ardhjes nga Italia të 77-vjeçarit bashkë me gjashtë anëtarët e familjes së tij, por që për fat të mirë e kemi numrin tre të të shëruarve dhe katër i kemi ende që po presin rezultatet, që shpresojmë të dalin negative për shkak se janë mirë me shëndet. Shpresojmë që edhe Stubllën ta lirojmë nga karantina, për shkak se sot një muaj Vitia ka qenë në karantinë. Po presim ditë të mira, por duke i respektuar masat e rregullat”, tha Haliti.

Kurti tha se në Viti, ministrat kanë punuar bashkë me kryetarin  e Komunës së Vitisë, dhe respektimi i masave të marra ka bërë që tashmë të ketë vetëm katër raste të personave të infektuar.

“Një muaj pasi rasti i parë u shfaq në Viti, kemi tre të shëruar dhe katër të infektuar, është dëshmi e masave të ndërmarra, vendimeve të zbatuara e të respektuara. Erdhëm në Viti për të falënderuar edhe ta inkurajojmë ta shtoj vigjilencën e disiplinën në muajin prill, që të dalin nga kjo krizë shëndetësore me sa më pak pasoja”, tha Kurti.

Kurti u pyet edhe për kyçjen e këtij qyteti në autostradë, ku tha se kjo është një punë që do të bëhet por me një kosto më të ulët.

“Ne do të merremi edhe me qasjen e Komunës së Vitisë në autostradë. E kemi marrë një vendim pasi ishtë qasje shumë e shtrenjtë dhe e jashëligjshme. Kyçja në autostradë do të bëhet me një kosto më të ulët”, tha Kurti. /Telegrafi/

 

 

 

 

Exit mobile version